Partia e Lirisë organizoi sot një protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme, në lidhje me arrestimin e ish- presidentit të Republikës dhe kreut të PL Ilir Meta.

Pjesë e protestës, pavarësisht ftesës, nuk ishte asnjë përfaqësues nga Partia Demokratike.

E ftuar në studion e News24, në emisionin “Opinion”, Silva Caka u shpreh se strukturat e PL ishin të angazhuara maksimalisht në organizimin e tubimit, aq më tepër që mbledhja e tyre ishte një porosi nga kreu i PL.

Ajo paralajmëroi se kjo nuk do të jetë hera e vetme që do të mblidhen para godinës së SPAK, dhe se protesta të tilla do të jenë periodike.

Sipas Bardhit, qëllimi i një hapi të tillë është që të sensibilizohet opinioni publik se arrestimet e deritanishme të krerëve të opozitës, duke përfshirë edhe arrestimin e Berishës, janë politike dhe pa shkak e fakte.

“Protesta e sotme ishte e kërkuar nga kreu i PL dhe do kishte angazhimin maksimal të strukturave të saj. Por askush nuk vendosi limite. Protesta u krye pasi SPAK u kthye në revole në duart e kryeministrit Edi Rama. Do të kemi protesta periodike që do të mbahen para këtij organi të drejtësisë për të sensibilizuar qytetarët se arrestimet janë politike pa shkak fakte e arsye”, tha mes të tjerash ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb