Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali iu referua raportit vjetor të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili i prezantoi gjetjet sot në Kuvendin e Shqipërisë. Spiropali tha se duhet të bëhet drejtësi për 21 janarin, vrasjen e 4 qytetarëve para Kryeministrisë gjatë protestës së opozitës së atëhershme, sot në pushtet prej 3 mandatesh. Ministrja tha se ngjarja është krim shtetëror dhe se pas 13 vitesh mbetet i pandëshkuar. Ajo ironizoi opozitën kur tha se janë bërë bunker rreth një individi për ta mbrojtur nga SPAK, ndërsa duke hequr paralele shtoi se PS nuk ka mbron asnjë prej zyrtarëve të saj me probleme me drejtësinë.

Fjala e plotë në Kuvend

Është e dukshme që seanca e sotme e Kuvendit ka më shumë solemnitet se zakonisht. Se vetë parlamenti dhe shumica e deputetëve po dëshmojnë më shumë pushtet dhe seriozitet. Raportimi i organeve të pavarura të drejtësisë, ndërveprimi i tyre me parlamentin sipas parimit të balancës dhe të kontrollit të pushteteve është një mekanizëm dhe një mundësi mjaft e mirë kushtetuese për suksesin reciprok të institucioneve në të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare. Përjashto seancën absurde të konsideratave dhe pyetjeve me përgjigje brenda, që shumë prej kolegëve shtruan në pjesën te aatrale të seancës, ku denigrimi, lincimi dhe shantazhi ishin kryefjale, seancë e cila duhet të ishte shmangur me rregullore e cila parashikon depozitim të pyetjeve dhe jo shpalosje të sulmeve nga deputetët e Kuvendit.

Në një kohë plot cinizëm por edhe me shutmë sfida, përpjekje, rënie e ngritje, tensioni politik dhe moral, një gjë është e qartë: me vështirësi dhe mundim, por padyshim me një spirale ngjitjeje pozitive, evolucioni dhe revolucioni i nisur me reformën në drejtësi ka nisur të japë frytet e veta. Pandëshkueshmëria, kjo plagë e thellë dhe fatale e shoqërisë, mentaliteti i standarteve të dyfishta në aplikimin e drejtësisë dhe shpresa se koha mbulon cdo krim, kanë marrë goditje vendimtare.

Askush dhe askurrë nuk e ndjen më veten të imunizuar nga mosndjekja e shkeljeve të ligjit a përfitimit të paligjshëm, dhe se herët a vonë, cdo mëkat apo shkelje me vullnet do të shpaguhet me gjuhën e ligjit. Pavarësisht se autorët e tyre janë në pushtet a opozitë. Kjo për sa i përket subjekteve të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, ndërkohë që për qytetarët e zakonshëm, ende ka problematika të mprehta, të lidhur kryesisht me kohën shumë të gjatë të proceseve gjyqësore. Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e munguar dhe si e tillë, është e papranueshme.

Thelbi i asaj që ka ndodhur në këto vite në raportin mes dy pushteteve, Legjislativit dhe Drejtësisë ka të bëjë me krijimin e të gjitha kushteve për drejtësinë që i garantojnë asaj liri veprimi dhe pavarësi të plotë nga politika, nga maxhorancat që ndryshojnë në kohë dhe nga humori politik që dikur kushtëzonte karrierën në sistemin e drejtësisë.

Duke thënë këtë, me keqardhje dalloj dy filozofi të ndryshme, totalisht të diferencuara mes PS-së, kësaj shumice, partia iniciatore e reformës, dhe pjesës thelbësore të opozitës, që fillimisht, e shtrënguar u detyrua të votojë këtë reformë.

Nga njëra anë shohim vullnet të palëkundur të maxhorancës në mbështetjen e plotë të veprimtarisë së organeve të drejtësisë. Pranim në heshtje dhe pa koment të cdo vendimi të saj. Dhe mbi të gjitha, lënien e çdo individi nën akuzë, të vetëm përballë drejtësisë, pa asnjë lloj mbrojtjeje a imuniteti politik.

Nga pikpamja njerëzore është shumë e vështirë të thuhet e pranohet dicka e tillë, por distancimi i PS nga cilido prej kolegëve dhe ish-kolegëve tanë është më shumë se një fakt, është zgjedhje dhe e vetmja sjellje përballë bastit të tyre me drejtësinë.

Po ashtu, nuk ekziston as nxitja e drejtësisë për të synuar kundërshtarët politikë, me përjashtim të rasteve kur vetë pjesë të maxhorancës kanë kallzuar penalisht individë nga opozita apo kur ka pasur deklarime politike që synonin njehsim vullnetesh për të goditur abuzuesit e të shkuarës.

Ka megjithatë një përjashtim domethenës. Prej 13 vjetësh, menjëherë mbas tragjedisë së 21 janarit, Partia Socialiste ka denoncuar vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, si krim shtetëror.

Pushkatimi i atyre qytetarëve në bulevard, pa gjyq, nuk u krye vetëm nga gishtat që tërhoqën këmbëzën e automatikut, por nga maja e piramidës shtetërore. Ish-kryeministri i vendit, gjykuam atëherë dhe sot edhe më fort dhe më kthjellët, ishte njeriu që krijoi skenarin e vrasjes për pushtet dhe autor i tentativës për te prishur çdo hetim e ndëshkim të bashkautorëve të tij.

Plot 13 vjet më vonë, një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e konsideroi krim shtetëror ngjarjen e 21 Janarit, dhe zinxhirin komandues shtetëror fajtor, duke i dhënë të drejtë akuzave tona politike. Tashmë ka mbetur vetëm shndërrimi i tyre në akuzë penale, në një hetim gjithëpërfshirës, të shpejtë dhe profesional.

Nuk ka peshë më të rëndë se gjaku dhe nuk ka akt më të pakthyeshëm se vdekja. Ky vend ka nevojë të jashtëzakonshme për drejtësi dhe 21 janari është sprova e madhe që drejtësia duhet të kalojë. Për të dhënë besim e shpresë se ajo edhe mund të vonojë, por nuk do të mungojë!

Nga ana tjetër shohim një rireshtim të të gjithë opozitës si një vijë e fortifikuar bunkerësh politikë në mbrojtje të një individi të vetëm. Shndrrimin në synim të vetëm të saj, luftën me sistemin e drejtësisë duke anashkaluar betejën politike të ditës, debatin dhe kundërshtinë e natyrshme politike mes palëve.

Për më shumë, gjuha agresive e përdorur, intimidimi dhe shantazhimi në emra të përveçëm të njerëzve të sistemit që ka arritur kulmin me drejtuesin e SPAK-ut, është një provë e shtuar për atë çfarë sanksiononin partnerët tanë amerikanë tre vite më parë, gatishmërinë për të mbrojtur veten dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsioni dhe masave të llogaridhënies.

Siç ka qenë dikur, sic e ka të gdhendur në ADN-në e tij politike, vrazhdësia, arroganca, sulmi në bllok, përdorimi i gjysëm, cerek a aspak të vërtetave dhe shantazhi publik, kanë arritur në shkallë të paimagjinueshme duke u shndërruar në kërcënim serioz për ekuilibrin mes pushteteve në vend.

Arbitri suprem, sovrani të cilit do ti drejtohemi pak muaj më pas për të bërë sërish zgjedhjen mes nesh, për momentin ka bërë një zgjedhje të qartë mes këtyre dy filozofive: në një shumicë dërmuese besimi, madje duke tejkaluar edhe insitutcionet e tjera shtëtërore apo ato partiake, ai është investuar me shpresë tek SPAK-u, i cili sidomos në këto dy vitet e fundit, është bërë një pikë reference për shpresën për ndëshkim dhe drejtësi.

Duke shprehur konsideratën më të lartë për cfarë është bërë deri më tani dhe duke qenë e bindur se ka ende një hendek domethënës mes ndëshkimit si mendësi dhe dhenies së drejtësisë si fakt, mbetem e bindur se udha që po ndiqet është ajo e duhura.

Se për të mbrritur në realizimin e synimit për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, ka nevojë për shpejtësi në hetim e gjykim, por dhe respektim të të drejtave të njeriut, duke nisur me palëvizhmërinë e parimit të prezumimit të pafajësisë. Profesionalizmi dhe transparenca, pavarësia dhe llogaridhënia, janë kura e nevojshme për një sistem jo vetëm të ndryshëm, por dhe të rikthyer padyshim në shërbim të publikut.

Unë nuk besoj se prangat janë qëllim përfundimtar. Dekurajimi i krimit në përgjithësi dhe krimit me kravata në vecanti, kalon pikë së pari nga bindja se produkti i veprës kriminale nuk do të jetë asnjëherë i sigurtë. Se paratë e vjedhura dhe pronat e paligjshme do të sekuestrohen dhe se nuk ka vend ku të fshihen. Për këtë arsye, thellimi i hetimeve financiare profesionale, pa zell, është celësi kryesor për ndëshkim.

E di që gjithçka është një proces. Që pavarësisht dëshirës, përpjekjeve dhe përplasjes së vullneteve, ende nuk kemi e nuk do të kemi për shumë kohë një situatë ideale siç meriton një shoqëri evropiane. Por jam gjithashtu e bindur se vullneti ynë poliitk, filozofia jonë e pandryshueshme për të respektuar parimin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, janë rruga e duhur për t’u ndjekur.

Në këtë rrugë, asistenca e partnerëve ndërkombëtarë, garantët dhe bashkautorët e reformës janë ndihmesë e pacmueshme. Komisioni i Posaçëm për Thellimin e Reformave për Antikorrupsionin, Sundimin e Ligjit dhe Mirëqeverisjen, që ky Kuvend miratoi pak kohë më parë, është instrument i nevojshëm për harmonizimin e veprimtarisë së pushteteve, për njē cikël të ri reformimi.

Qeveria shqiptare do të afrojë çdo garanci politike dhe çdo mjet financiar të nevojshëm për mbarëvajtjen e sistemit, të aftë të jetë komplementar me të gjitha përpjekjet e vendit për integrim evropian.

Ia kemi borxh fëmijëve tanë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb