Në një komunikim për mediat, këshilltari për Sigurinë kombëtare pranë PD, Xhemal Gjunkshi është shprehur se prej kohësh sistemi i mbrojtje po tronditet nga skandale dhe abuzime, të cilat i konsideron të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s.
Gjithashtu ai thekson se barra e akuzave për dirigjueset kryesore të skandaleve u përket ish-ministreve Olta Xhaçka, dhe Mimi Kodheli.
REAGIMI I PLOTË:
Standardet e Natos në rrezik nga korrupsioni dhe skandalet me pronat në sistemin e mbrojtjes!
Prej kohësh sistemi i mbrojtjes po tronditet rëndë nga skandale dhe abuzime të papranueshme për një vend anëtar të Natos. Krahas kanabizimit të repartit ushtarak në Zallherr, gazetarë kurajozë investigues bëjnë me dije për afera koŕrupsioni të një niveli të lartë në kryerjen e tenderave dhe në tjetërsimin e pronave të ushtrisë me qëliim përfitimi. Ka një zinxhir të tërë përgjegjësish në këto afera përfshirë kupolën drejtuese të forcave të armatosura, por mbi të gjitha barra e akuzave për dirigjueset kryesore të skandaleve u përket ish ministreve Olta Xhaçka, dhe Mimi Kodheli.
– Kjo e fundit (Mimi Kodheli) do të mbahet vecanërisht mend për fikjen e radarëve me qëllim kalimin pa eksese të drogës në Adriatik e Jon.
Nga ana tjetër bëmat e pasardhëses Xhaçka që gjendet ende në qeveri, përfshijnë ndër të tjera:
– përdorimin e helikopterit te FA si taksi për takime elektorale,
– shfrytëzimi i mjeteve të forcave te armatosura për interesat e pushtetit,
– tendera sekrete për blerje logjistike të mbrojtjes duke favorizuar klientelen e vet,
– privatizimin e territoreve të bazave detare për përfitimin e statusit te investitorit strategjik etj etj.
Në këtë pikë apeloj drejtësine dhe strukturat funksionale për hetime të plota, të pavarura dhe të gjithanshme për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të përfituesve që abuzojnë në mënyrë flagrante me pronat dhe pasuritë e mbrojtjes. Ky sektor strategjik i përket gjithë shqiptarëve që paguajnë taksat që ushtria jonë të renditet me dinjitet dhe krenari krahas aleatëve gjeostrategjike dhe jo të jetë precedent për historitë ogurzeza të pushteteve oligarke.
(BalkanWeb)