SPAK ka zbardhur edhe atentatin ndaj Elton alias Kastriot Kilës i njohur edhe si “Oti i Elbasanit”. Prokuroria e Posaçme njoftoi sot zyrtarisht se kishte zbërthyer aktivitetin e grupit kriminal të Suel Çelës. Kilës i janë bërë 4 atentate, por ai ka arritur të shpëtojë.
Suel Çela dyshohet se ka qenë porositës i tentativave për ta vrarë “Otin e Elbasanit”. Në shënjestër ai kishte edhe Bledar Muçën i njohur si njeri i Çapjave. Edhe pse i shpëtoi sulmeve në qytetin e Elbasanit, Bledar Muça u ekzekutua në vitin 2022 në Belgjikë. Më herët, Muça i kishte shpëtuar 2 atentateve.
Kreu i grupit kriminal, Suel Çela mësohet se donte të vdekur edhe Elton Kilën. Ai madje porosit edhe vrasësin me pagesë Nuredin Dumani në 2022, por ky i fundit nuk arrin të realizojë atentatin, pasi u sulmua me breshëri plumbash pranë Cërrikut nga njerëzit e Talo Çelës dhe mbeti i plagosur. Ky është edhe momenti që shënon fundin e aktivitetit kriminal të Dumanit, pasi disa orë më pas ai u arrestua në Fier dhe sot ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë
Sipas SPAK, Suel Çela dhe banda e tij akuzohen për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Elton Kila dhe Bledar Muça”.
Veprat penale për të cilat akuzohet grupi i Suel Çelës:
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Ardian Çapja, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Elton Kila dhe Bledar Muça”.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale,
“Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
“Grup i strukturuar kriminal”.
“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
“Shpërdorim detyre”.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .
(BalkanWeb)