Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka bërë njoftimin e parë zyrtar lidhur me operacionin antidrogë të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në disa zona të vendit. Në pranga kanë rënë 10 persona, 3 prej të cilëve nga vendet e Amerikës Latine. Në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, njofton Prokuroria është zbuluar dhe sekuestruar një laborator kokaine. Ndërsa në Tiranë dhe Durrës janë identifikuar ambiente ku magazinohej droga.

Por si funksiononte grupi kriminal i kokainës?

Nga të dhënat hetimore, sipas SPAK, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.

Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.

Pikërisht një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Një kolumbian dhe 2 venezuealianë ishin kimistët e trafikantëve.

Të arrestuarit: 

Shtetas shqiptarë:

1. Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2. Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3. A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë**
4. Endi Sejdini 25 vjeç, banues në Krujë
5. Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6. I.A.,  51 vjeç, banues në Shkodër**
7. Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës

Shtetas të huaj:

1. Hiwlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian
2. Joze Ramon Zacarias Vasquez 35 vjeç, shtetas venezuelian
3. Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian

SPAK sqaron se rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar ku ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës.

Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.

“Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal”, thekson Prokuroria e Posaçme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb