Dëbora që ka rënë në Milano, vetëm sa e bëri më të thellë zhytjen e Interit. Jashtë luftës për titull, jashtë Champions League që në pengesën e parë, jashtë Kupës së Italisë në prag të derbit me Milanin.

Pra, ka mbetur vetëm që të mbyllet kampionati minimalisht në vendin e katërt dhe të synohet një figurë e mirë në Ligën e Europës për të shpëtuar çfarë ka mbetur për t’u shpëtuar, ta paktën sa u takon rezultateve.

Problemi është se në këtë moment, brenda dhomave të zhveshjeve zikaltër ka shumë probleme. Dhe zgjidhjet nuk janë të lehta, duke nisur që nga kontrata e Mauro Ikardit, rinovimi i të cilit duket se nuk është në diskutim, por që ka prishur jo pak gjumin e tifozëve pasi kjo çështje ka ndikuar dhe në rendimentin e argjentinasit, që po ka vështirësi të shënojë në aksion.

Të mos flasim për rebelët Perisiç dhe Naingolan, të dy të vendosur për ta lënë Milanon sa më shpejt, por që janë mbajtur në skuadër kundër dëshirës. Ajo që e ndjen peshën, është skuadra. Sikur të mos mjaftonin rebelët, edhe lojërat e Lautaro Martinezit nuk po bindin (me babain e këtij të fundit që kishte ngritur zërin më herët, që i biri nuk gjen hapësirat e duhura) dhe po vazhdon të shpërdorojë mundësitë që po i jep Luçiano Spaleti.

Vetë Spaleti ka përfunduar në syrin e ciklonit interist, me tifozët që e shikojnë si të mbaruar qëndrimin e tij në Milano. Pas eliminimit nga Kupa e Italisë, trajneri toskan ka pasur një takim kokë më kokë me drejtuesit.

Asnjë ultimatum, por një mbledhje rreth momentit të vështirë të Interit, i paaftë të marrë rezultatet që të gjithë kanë pritur. Dhe nëse kësaj i shtojmë zërat e ardhjes së mundshme të Kontes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb