Bashkim i së djathtës ekstreme, zmbrapsje e socialistëve, kolaps i liberalëve. Skena politike spanjolle u paraqit edhe më kaotike sot, pas zgjedhjeve parlamentare, duke e ndërlikuar së tepërmi formimin e një qeverie të re.

“Zgjedhjet e djeshme nuk i zgjidhën vështirësitë për të përcaktuar një shumicë qeveritare, përkundrazi, ato i përkeqësuan”, shkruan e përditshmja spanjolle “El Pais”.

Fituesi i zgjedhjeve të së dielës, kreu i qeverisë socialiste në ikje, Pedro Sanchez humbi vende në parlament, duke shkuar nga 123 në 120.

Surprizë krijoi partia e ekstremit të djathtë, Vox, që nga 52 vende, arriti të sigurojë 350 vende, duke u bërë partia e tretë në Spanjë.

Liberalët e Ciudadanos ranë në 10 vende në parlament nga 57 që kishin, që çoi në dorëheqjen dhe tërheqjen nga politika e kreut të tyre, Albert Rivera.

“Formimi i një qeverie ka për të qenë praktikisht i pamundur. Të gjitha partitë kanë një rival në të majtë dhe një në të djathtë, gjë që bllokon mundësitë e tyre strategjike”, u shpreh politologu i Universitetit të pavarur të Barcelonës, Joan Botella.

Në këtë parlament akoma edhe më të fragmentuar, formimi i një qeverie të re do të jetë një enigmë edhe më e vështirë për t’u zgjidhur.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb