Përpjekjet e kërkim-shpëtimit në Spanjë po vazhdojnë pasi një stuhi e paprecedentë mori jetën e të paktën 158 personave, si dhe shkaktoi një shkatërrim të gjerë, raporton Anadolu.

Sipas autoriteteve, të paktën 155 persona humbën jetën në Valencia, rajoni më i goditur nga përmbytjet, por vdekje janë raportuar edhe në provincat Cuenca, Albacete dhe Malaga.

Më herët gjatë ditës, ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, tha se autoritetet ende nuk mund të ofrojnë një numër të saktë të jetëve të humbura, por theksoi se “shume njerëz” mbeten të zhdukur.

Rreth 1 mijë ushtarë u vendosën në zonat e goditura dhe prioriteti i tyre kryesor është gjetja e të zhdukurve.

“Ne e dimë se në vende si Paiporta dhe Massanassa mund të ketë njerëz në garazhe, në bodrume, njerëz që dolën jashtë për të gjetur automjetet e tyre”, tha Robles në një intervistë me transmetuesin ‘Telecinco’.

Stuhia më rëndë goditi të martën, kur shiu i pothuajse një viti ra brenda vetëm disa orëve, duke shkaktuar përmbytje të shpejta dhe vërshime të lumenjve nëpër rrugë qytetesh.

Intensiteti i stuhisë kapi mijëra njerëz në befasi, shumica e të cilëve ktheheshin nga puna dhe u bllokuan në automjete. Të tjerët u bllokuan në shtëpitë e tyre, vendet e punës, restorante apo qendra tregtare, duke pritur me dëshpërim shpëtimin derisa ujërat rriteshin.

Mbrëmjen e të martës, Qeveria e Valencias lëshoi një alarm urgjent në telefonat e banorëve, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë brenda ose të kërkojnë terrene të larta, kur shumica e dëmeve tashmë ishin bërë.

“Alarmi ra kur uji kaloi mbi belin tim”, tha Joan San Saloni, një banor në qytetin Paiporta.

“Po të kishte ardhur më herët, duke thënë mos dilni nga shtëpia, njerëzit nuk do të kishin shkuar për të marrë makinat e tyre. Po ta dinim, nuk do të kishte kaq shumë vdekje”, shtoi ai.

Shërbimet e urgjencës u pushtuan shpejt nga vëllimi i thirrjeve dhe ishte e pamundur të arrijnë në zonat më të goditura. Saloni shpjegoi se derisa njerëzit thërrisnin për ndihmë në qytet, ai me orë të tëra po telefononte shërbimet e urgjencës, por ishte e padobishme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: