Garda Civile e Spanjës ka arrestuar tre shtetas shqiptarë dhe po heton një të katërt, në operacionin më të madh kundër kultivimit të marijuanës në ambiente të mbyllura në provincë. Në total, 3880 bimë marijuanë, me peshë 330 kilogramë u sekuestruan në dy laboratorë të vendosur në një zonë banimi në Maello.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan tre persona, ndërsa një i katërt po hetohet për krime të dyshuara kundër shëndetit publik që përfshinin trafik droge dhe mashtrim me energjinë elektrike.
Garda Civile po vijon hetimet për të përcaktuar shkallën e plotë të aktivitetit kriminal dhe përfshirjen e mundshme të një organizate shqiptare të trafikut të drogës.
Ky hetim buron nga hetimet e mëparshme që i shtynë anëtarët e kësaj force të dyshonin se brenda dy banesave në një zonë banimi të këtij qyteti mund të kryheshin aktivitete të paligjshme lidhur me lëndët narkotike.
Për këtë arsye, në zonë u vendosën pajisje vëzhgimi për verifikimin e dyshimeve të sipërpërmendura.
(BalkanWeb)