NGA ZONJA VJOLLCA

8 speca
400 gr karota
1 kokërr qepë
1 thelpinj hudhër
1 kokërr vezë
100 gr oriz
1 kuti domate të konservuara
1 lugë gjelle miell
6 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper i zi

Fillimisht vendosim orizin të ziejë jo plotësisht (afërsisht për 12 minuta). Ndërkohë pastrojmë specat nga farat, grijmë imët hudhrën ndërsa qepën dhe karotat i presim në kubikë të vegjël.
Në një tigan ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën dhe karotat derisa të zverdhen pak. I largojmë nga zjarri dhe i lemë të ftohen pak, më pas shtojmë hudhrën, orizin gjysmë të zier, kripë, piper të zi dhe një kokërr vezë. I trazojmë të gjithë përbërësit dhe nëse dëshirojmë mund ti shtojmë mbushjes edhe pak majdanoz.

Në një tigan salce me 3 lugë vaj ulliri kaurdisim 1 lugë miell për 2 minuta, shtojmë domatet e grira, i lemë të ziejnë për 3 minuta dhe i shtrojmë në tavë në formën e një shtrese. Mbi salcën e vendosur në tavë vendosim specat duke i mbushur një nga një. I vendosim më pas në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 20-25 minuta.

(m.k/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: