TIRANE

Në një ceremoni madhështore, Universiteti “Luarasi” diplomoi mbrëmjen e së enjtes, brezin e 15-të të studentëve. Atmosfera festive dhe emocionet e pafundme shoqëruan këtë ditë të shënuar  plot 296  juristë dhe ekonomistë të rinj të veshur me uniformën akademike  po prisnin me padurim që të merrnin ndër duar diplomën e Luarasit, për të vijuar të sigurt rrugëtimin profesional.

Në këtë event të rëndësishëm ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, presidenti i Hysenbelliu Group, z. Irfan Hysenbelliu si dhe themeluesi i këtij institucioni arsimor,  Mjeshtër i madh Aleks Luarasi. Gjithashtu në ceremoni nuk mund të mungonin edhe personalitete të shquar që prej vitesh kanë bashkëpunuar me Luarasin në fushën e drejtësisë dhe biznesit; figura të njohura; profesorë; studentë e familjarë.

Rektori i Luarasi, prof. Dr. Ethem Ruka mbajti fjalën e hapjes së kësaj ceremonie e theksoi se kjo është një ditë e veçantë për studentët si dhe stafin akademik.  Ai falendëroi z. Gramoz Ruçi për pjesëmarrjen dhe garantoi se universiteti do të vijojë bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë. Drejtuesit e Hysenbelliu Group, si dhe presidenti  z.Irfan Hysenbelliu morën një falenderim të veçcantë nga rektori për investimin dhe punën e palodhur që kanë bërë për Luarasi.

I ftuari special në ceremoninë e diplomimit, Kryetari i Kuvendit, z Gramoz Ruçi iu bëri thirrje të gjithë studentëve të mos krijojnë varësi prej shtetit apo punëdhënësve, por  të jenë të guximshëm dhe të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë. Më tej Ruçi  surprizoi studentët e Juridikut së Luarasi duke iu dhuruar libra për reformën në drejtësi.

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë, universiteti Luarasi ka dhënë bursën e parë me rastin e 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Ishte vetë kryeparlamentari që i dorëzoi bursën maturantit Gledis Zamo i cili këtë vit të ri akademik do të jetë pjesë e Fakultetit të Drejtësisë në Luarasi.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe certifikata për ata që kanë spikatur me dijet e tyre dhe me siguri do të jenë liderët e së ardhmes.  Zëvendës Presidenti i Hysenbelliu Group,  Fatmir Hysenbelliu iu dorëzoi certifikatat studentëve të ekselencës.

296 të diplomuarit e drejtësisë dhe ekonomikut mezi kanë pritur të fluturojnë kapelet e tyre mes emocioneve të rralla duke mbyllur kështu një cikël të rëndësishëm të jetës.

Vetë studentët janë shprehur tejet të lumtur që tashmë mbajnë në duar një diplomë që do tiu hapë dyert për të ardhmen profesionale.

Me hedhjen e kapeleve akademike të brezit 15 të diplomuarve, Luarasi shkruajti serish historinë. Universiteti elitar i dijes do të vazhdojë rrugëtimin e tij me hapa të sigurt duke përgatitur lidera të së ardhmes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb