TIRANE- Ndërkohë që diskutohet dhënia me koncencion e shërbimit të ndriçimit publik, News24 zbulon se sa është kostoja për ofrimin e këtij shërbimi në bashkitë e mëdha, ndërkohë që ende shumë zona mbeten të pandriçuara.

Një nga bashkitë më të mëdha, ajo e Durrësit ka 6 mijë llampa për ndriçimin publik në territorin e saj dhe çdo vit shpenzon 3 milionë e 150 mijë kilovatorë energji me vlerë rreth 52,5 milionë lekë. Nga bashkia deklarohet se prej 2 vjetësh në çdo investim të ri që kryehet në infrastrukturë, ndriçimi i rrugëve dhe shesheve bëhet me llampa ekonomike.

Bashkia Durrës
Vetëm në muajin mars të këtij viti, bashkia e Durrësit ka harxhuar rreth 5.5 milonë lekë të reja për ndriçimin publik. Në një kohë kur kalohet drejt ndriçimit me llampa led, shqetësim madhor mbetet vjedhja që i bëhet rrjetit të energjsë elektrike në rrugë të ndryshme.

Bashkia Elbasan:
Në bashkinë Elbasan janë gjithsej 3081 llampa, nga të cilat 350 prej tyre janë llampa LED, në dy bulevardet kryesore të qytetit ose 11.2% e totalit të llampave. Pjesa tjetër janë llampa të zakonshme. Kostoja e konsumit të energjisë elektrike për vitin 2015 shkon në 28 321 000 lekë, ndërkohë që buxheti i akorduar për sektorin e ndriçimit për 2015 ka qenë 30 990 000 lekë.

Bashkia Korçë
Një kosto më të lartë ka bashkia e Korçës për shërbimin e ndriçimit publik, në vlerën 35 milion lekë të reja, për 2 mijë llampa me avuj zhive dhe led. Ndërkohë me ndarjen e re territoriale bashkisë së Korçës i janë bashkuar edhe 7 njësi administrative të cilat në total kapin një kosto prej 5 mln lekë ndriçimi publik. Duke parë koston e lartë të mëparshme, edhe në këtë bashki synimit zëvendësimi i llampave me ato të ndricimit LED. Kostoja është më e ulët në bashkinë e Pogradecit, në vlerën vjetore rreth 19 mln lekë të reja.

Bashkia Fier:
25 milionë lekë është shuma që Bashkia e Fierit paguan në një vit për ndriçimin e qytetit me rreth 2 mijë llampa. Gjatë gjithë vitit harxhohen rreth 1.5 milion kilovat/orë energji, për 15 deri në 18% të sipërfaqes së qytetit, ndërkohë që pjesa e mbetur e tij nuk ka ende sistem ndriçimi.
Por ndërkohë problem është amortizimi i rrjetit të ndriçimit në qytetin e Fierit. Të dhënat përfshijnë vetëm sistemin e ndriçimit për qytetin e Fierit, ndërkohë me ndarjen e re territoriale bashkia tashmë duhet të bëjë llogaritë edhe për njësitë e reja që ka në administrim, çka automatikisht rrit koston për ofrimin e këtij shërbimi.

Bashkia Lezhë:
Ndërkohë një bashki si Lezha, e përllogaritur me kosto mujore, harxhon rreth 2 mln lekë të reja për ndriçimin publik me 2014 ndriçues rrugorë. Edhe pse bashkia paguan një faturë të madhe për energjinë elektrike, shumë lagje të qytetit vijojnë të mbetën pa ndriçim, e bashkë me to edhe pjesa më e madhe fshatrave.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: