“A është i pafajshëm Saimir Tahiri?” Ishte pyetja e mundimshme e Edi Ramës, priste prej dy vitesh një përgjigje. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dhënë më në fund një përgjigje për Edi Ramën dhe gjithë opinionin publik.

Me sqarime për “shefin e madh” e me fotografinë e Edi Ramës në dorë, Saimir Tahiri fitoi dje më 19 shtator 2019, pafajësinë për dy akuza të rëndësishme që rëndonin mbi të. Ai është shpallur i pafajshëm për, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, por është dënuar me 3 vjet e katër muaj shërbim prove për shpërdorim detyre.

Vendimi i gjykatës është një nga ato përgjigjet që me siguri e priste Edi Rama, që në nisje të procesit të hetimit për Saimir Tahirin, i cili ishte asokohe ministër i brendshëm në vitin e katërt të mandatit të tij në këtë detyrë. Më jetëgjati në këtë post në historinë e tranzicionit.

Ishte më i mbështeturi ministër nga kreu i qeverisë Edi Rama, jo vetëm për shkak të detyrës së vështirë por edhe pse fillimet e tyre në Partinë Socialiste i përkasin një kohe.
“Është i riu i parë që hyri në Partinë Socialiste pas meje, kur sapo isha zgjedhur kryetar… Kishte qenë vullnetar për bashkinë në zgjedhjet e vitit 2013, mu paraqit përmes një e-maili ku dëshironte të lexoja disa ide të tij për reformimin e partisë Socialiste”, thoshte kryeministri.

Kështu e nisi Saimir Tahiri karrierën e tij në politikë, me emocionet e herës së parë të shfaqjes në një foltore si ajo e Partisë Socialiste. Droja përballë hijes së rëndë të atij podiumi, do t’i kalonte shumë shpejt, falë mbështetjes specifike të liderit Rama i cili do t’i garantonte ngjitjen me shpejtësi deri në forumet më të larta drejtuese të kësaj partie.

“U bë zëdhënës i PS-së dhe me një dërrasë të zezë në cilën shkruante me shkumës para kamerave, faktet kompromentuese të korrupsionit qeveritar. I ngjiti shkallët një nga një me ambicie të fortë e vullnet të veçantë”, deklaron Rama.

Me mbështetjen e Ramës, Tahiri la pas drejtues të rëndësishëm të Partisë Socialiste dhe u bë një ndër deputetët më aktiv të grupit parlamentar socialist, tek i cili Edi Rama besoi betejat më të forta politike kundër mazhorancës së drejtuar asokohe nga Sali Berisha.

Për ironi të fatit, Tahiri ishte në krye të një beteje akuzash të opozitës së atëhershme socialiste ndaj ish-ministres së qeverisë Berisha. E akuzonte se të afërmit e saj ishin të lidhur me mafien italiane. Shijen e hidhur të kësaj akuze, Tahiri do ta provonte edhe vetë, pak vite më pas.

Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Saimir Tahiri u emërua në detyrën më të rëndësishëm të qeverisë Rama, në krye të Ministrisë së Brendshme.
Më i sulmuari nga opozita. Më i akuzuari gjithashtu, Saimir Tahiri do të prekte majat e suksesit, kur kryeministri Rama e quajti ministri kampion, pas aksionit antikanabis në Lazaratit.

Por karta e fortë e tij antikanabis do të rrëzohej me shpejtësi kur u konstatua se Shqipëria ishte bleruar me kanabis në shumicën e sipërfaqes së saj, tamam në atë kohë kur ministri Tahiri mburrej me shifra suksesi në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Gjatë vitit 2016, tonelata të shumta lëndësh narkotike, u kapën ditë pas dite në brigjet e vendeve fqinje, drogë që e kishte origjinën nga Shqipëria. Nga çadra e opozitës e ngritur para dritares së kryeministrit Rama, kërkohej me ngulm dorëheqja e Tahirit. Ato ditë marsi të vitit 2017, Saimir Tahiri u largua nga detyra e ministrit.

Ish-ministri kampion, la pas kohët e lavdisë dhe nisi betejën e fortë ku do të kishte përballë sigurisht opozitën dhe jo aq përballë por tinëz, do të kishte kundra, kolegë ministra e deputetë socialistë. Ish-miq e bashkëpunëtorë, shpejt do ta linin vetëm ministrin kampion, të akuzuar si askush më parë, për lidhje me një grup të strukturuar kriminal.

Do të vinte pak muaj pas largimit si ministër, në tetor 2017 kur u hap çështja Habilaj dhe emri i tij rezultoi të ishte në dosjen e prokurorisë së Katanias, i dyshuar se kishte favorizuar aktivitetin kriminal të Habilajve, trafik lëndësh narkotike.

Pas publikimit të dosjes nga drejtësia italiane, prokuroria e krimeve të rënda mori nën hetim ish-ministrin Tahiri dhe kërkoi nga parlamenti lejen për arrestimin e tij. Këtu nis beteja e ashpër e Saimir “për të vërtetën e tij” për të rrëzuar akuzën e rëndë për përfshirje në grupin e strukturuar kriminal të Habiljave.

Pas shumë dilemash e debatesh, mazhoranca socialiste e refuzoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit duke i dhënë kohë që të gjente rrugën për tu mbrojtur e për të kërkuar “të vërtetën e tij, pafajësinë për të cilën betohej pa pushim.

Pavarësisht se Rama nuk e lejoi arrestimin e Tahirit, nisi të distancohej prej tij kur foli për drurë të shtrembër apo edhe barazinë para ligjit. Ishte një betejë ku Saimir Tahiri po dukej i vetëm. E kishte lënë vetëm edhe Edi Rama, në pritje të së vërtetës që do ta thoshte vetëm drejtësia.

“Ju them, kushdo le të mendojë ç’të dojë…jo e lëshoi Saimirin tonë… jo ia mblodhi saje qorri këtij, jo fajin e ka Saliu e jo nuk e di çfarë tjetër…nuk më intereson. Për mua nga çasti i parë deri sa të dalë e vërteta nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç pyetjes a është i pafajshëm Saimir Tahiri?”, do të shprehej Rama.

Përgjatë dy viteve midis rrugës drejt burgut e asaj të pafajësisë, Edi Rama ka heshtur më së shumti ndërsa Saimir Tahiri ka folur herë pas here por me gjysmë fraza. Ka dhënë sinjale të koduara duke lënë të kuptuar se në se ai lihej vetëm para drejtësisë, të tjerë do ta ndiqnin pas brenda hekurave të burgut.

Mesazhet e tij të koduara u duk shpesh se i drejtoheshin kryeministrit sepse janë fjalë që kryeministri i kishte thënë në rrethana të caktuara.
“Kam parë banditë në politikë me jakë të bardhë dhe kollare që janë shumë më gjakftohtë në krimin e tyre se sa çdo bandit në rrugë…kam parë në politikë hajdutë të pacipë që dilnin e përbetoheshin publikut… por që fusnin duart në xhepat e qytetarëve pa pushim.

E prisja të vinte kjo ditë që gjithë llumi të më vijë përballë dhe unë mund të shkoj të bëj burg me ata që kam arrestuar vetë…”.
Pikërisht për këto mesazhe të koduara, kryeministri doli publikisht me përgjigje për opinionin publik ku sqaronte se kurrë nuk i kishte ndërhyrë në detyrë e Saimir Tahirit.
“Jo, boll e kam bërë avokatinë e Saimir Tahirit në sheshin e katundit të kazanit mediatik e kam bërë pa ma kërkuar kurrë ai… e kam bërë me mish e shpirt pa shkëmbyer kurrë, kurrë, kurrë përveç miqësisë ideve krijuese zbatuese me Saimir Tahirin. A jam pishman… në asnjë mënyrë s’kam pse të jem pishman.

Nuk i ndërhyra as edhe një herë te vetme në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve në Ministrinë e Brendshme. Nuk mbaj mënd të kem folur ndonjëherë në katër vjet me ndonjë drejtor policie apo shef komisariati në telefon e as kam takuar ndonjë prej tyre vetëm apo në grup. Përveç ndonjë takimi pune në prani të ministrit”.

Edi Rama kishte investuar tek Saimir Tahiri mbështetjen më specifike në krahasim me ministrat e tjerë. E gjithë lavdia e qeverisjes së rilindjes ishte përqendruar tek ministri kampion. Për këtë arsye Rama i detyrohej opinionit publik një sqarim të shpejtë.

“Prandaj jam i detyruar sa më qartë e drejtpërdrejt, jo për të vërtetën e Saimir Tahirit por për të vërtetën time përballë pyetjes: a është i pafajshëm Saimir Tahiri?”
Koha e lavdisë kishte mbaruar për ministrin kampion Saimir Tahiri. Fama e tij prej heroi do të rrokullisej me shpejtësi për t’u ulur në bankën e të akuzuarit si pjesë e një grupit të strukturuar kriminal.

“Sot Saimir nuk është më ministër dhe një fije peri e ndan në sytë e opinionit publik, viktimën e një sulmi të papërmbajtur nga heroi i rremë…”.
Edhe pse kishte premtuar se nuk do të vazhdonte të ishte avokati i tij, me hir a me pahir, Rama e mbështeti Tahirin, sepse mazhoranca që ai drejtoi, refuzoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit. E shpjegoi vetë Rama pse nuk mund të arrestohej Tahiri duke u kthyer shumë në kohë, tek historia e arrestimit të ish-liderit socialist Fatos Nano.

“Në fillimet e rrëmujshme të tranzicionit… mes shkatërrimit të sistemit të vjetër në rrugën e panjohur të sistemit të ri çoi para hekurave kryetarin e kësaj partie, i vetmi i dënuar me burg në këtë vend me të njëjtën lehtësi vrastare, koincidencë ironike e fatit, me disa letra nga një magazinë italiane”.

“Nuk jemi mbledhur këtu ta dekorojmë ministrin më jetëgjatë në atë karrige, e cila për shumëkënd para tij ka rezultuar të jetë politikisht elektrike ose minimalisht paralizuese. Jemi mbledhur të flasim për çfarë do të bëjmë ne lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila nuk kërkon vetëm një sërë masash shtrënguese në funksion të hetimit që ka nisur por edhe deri arrestimin e Saimir Tahirit”.

Vëllezërit Habilaj ishin arrestuar nga drejtësia italiane, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal për trafik lëndësh narkotike. Prokuroria italiane kishte kohë që e hetonte këtë grup dhe përmes përgjimesh të prokurorisë së Katanias, shfaqej edhe emri i ministrit Tahiri.

Vëllezërit Habilaj kishin blerë makinë e ish-ministrit dhe e kishin përdorur atë gjatë kohës kur ndiqeshin nga drejtësia italiane. Habilajt ishin kushërinj të ish-ministrit. Tahiri e kishte pranuar se iu shiti makinën por e konsideronte si të vetmin gabim në gjithë këtë histori akuzash.

Por me zbardhjen e detajeve në dosjen Habilaj, Rama e kishte gjithnjë e më të vështirë ta mbronte “ministrin kampion”.
“Përgjigjen e Saimirit e kam dëgjuar përballë e në publik, është njësoj siç e keni dëgjuar as më pak as më shumë: me makinën kam gabuar por pa asnjë qëllim apo dashje, duke mos më shkuar mëndja gjëkundi për pasojat e mënyrën se si u torr ajo histori…Asgjë nga të tjerat nuk është aspak e vërtetë, zero.

Shumë kush e kërkon me të drejtë se çfarë mendoj unë? Kush është mendimi im i sinqertë përballë kësaj pyetje sepse është një rast atipik dhe gjendem në një situatë atipike për shkak se Tahiri nuk ishte njëri nga ministrat e zakonshëm por ishte më i ekspozuar nga të gjithë, më popullor në sytë e shumicës e më i urryeri nga pakica, këto shkojnë bashkë në Shqipëri, ku suksesi është një lloj i veçantë mallkimi”.

Disa muaj më herët, Saimir Tahiri ishte akuzuar nga ish-oficer i policisë së shtetit, Zagani si pjesë e grupit kriminal Habilaj. Akuzat e tij nuk u besuan nga kryeministri Rama e aq më pak nga ministri Tahiri. Por përgjimet e prokurorisë italiane, patën tjetër efekt.
Për të gjitha dyshimet në fajësinë e Tahirit, të cilat sa vinin e shtoheshin, më 23 tetor 2017, Edi Rama propozoi grupit parlamentar të PS-së dhe strukturave të tjera drejtuese largimin e tij nga çdo post në PS, derisa të merrte përgjigje pyetja: A është i pafajshëm Saimir Tahiri??

“Nuk mund të perceptohet e as të tregohet me gisht si i strehuar politik në gjirin tonë, hijen e dyshimit se mos kushedi.
Saimiri do jetë një njeri i lirë e deputet i lirë për të bërë betejën e tij jashtë forumeve e jashtë grupit parlamentar, ne presim drejtësinë të thotë të vërtetën”.

Pak kohë më vonë, në maj 2018, Saimir Tahiri dha dorëheqje nga mandati i deputetit e atje përcolli sërish mesazhet e tij që i drejtoheshin edhe Ramës.
Përgjatë kësaj kohe, gjykata vendosi arrest shtëpie për Saimir Tahirin, për t’u rrëzuar pak ditë më pas në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë çështja Tahiri ka vazhduar e monitoruar pa pushim edhe nga ambasada amerikane.
Çështja Tahiri vazhdoi për dy vite nëpër dyert e gjykatave. Në seancën kur prokuroria dha pretencën dhe kërkoi 12 vjet burg për Tahirin, ky i fundit përcolli sërish mesazhe jo dhe aq të koduara thuajse të qarta, drejtuar ish-kolegëve ministra.
Kur po paraqiste argumente për të provuar pafajësinë e tij, Saimir Tahiri përdori si argument një takim informal me kryeministrin Rama, në kohën kur prokuroria e akuzonte se kishte qenë në takim me një prej anëtarëve të grupit Habilaj.
Tahiri foli në seancën e fundit edhe për ministra që fiknin radarët kur kalonte droga e për të tjerë që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezër trafikantë. Shumëkush e ka interpretuar si kërcënim për të thyer kodin e heshtjes.
Sidoqoftë të enjten më 19 shtator, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për Saimir Tahirin. Dhe ai do të jetë i dënuar me 3 vjet shërbim prove por edhe me heqje të drejtës për të qenë poste publike.
Tahiri e ka pritur me shumë emocione atë vendim të cilin e quajti vendim idiot. Priti me durim për shumë kohë për ta marrë vesh, sepse tre gjyqtarët qëndruan në dhomën e këshillimit për më shumë se dhjetë orë për të mbërritur në përfundimin se ish-ministri kishte shpërdoruar detyrën.

Çështja Tahiri është një ndër më të rëndësishme që ka pasur në dorë drejtësisë shqiptare ne vitet e fundit, shoqëruar me shumë zhurmë në media e politikë. Vetë Tahiri e cilësoi çështja e shekullit. Saimir Tahiri është një ndër zyrtarët më të lartë që gjykohet nga drejtësia e viteve të tranzicionit. Ishte një ndër njerëzit më të afërt të liderit socialist Edi Rama.
Të paktën deri para dy vitesh kur nisi rruga e Tahirit në kërkim të së vërtetës së tij dhe kur Rama e kërkonte me ngulm e që duket sikur nuk e ka ende një përgjigje finale a është i pafajshëm Saimir Tahiri?!

“Në Shqipëri pas prindërve të tij, vjen i pari një njeri që dëshiron të besoje në pafajësinë e Saimirit. Jam unë. Nuk besoj se ka nevojë ta them këtu që do ishte zhgënjimi më i rëndë dhe mësimi më i hidhur i jetës time në shërbimin publik, në së unë mësoj se nuk është ai Saimir Tahiri që unë njoh… por një vemje që e turpëron fjalën njeri…
Por në të vërtetë pyetja a është i pafajshëm Saimir Tahiri, nuk është aspak e tepërt dhe mund ta rrëfej pa asnjë droje: Do më mbetet gozhdë në mendjen time deri kur të marr përgjigje”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb