TIRANE- Në sezonin e verës duhet të tregojmë kujdes më të madh përsa i përket ushqimeve që konsumojmë, sepse rreziku i komplikacioneve në shëndet është më i madh se në stinët e tjera. Kjo këshillë vjen nga specialistët e shëndetit, të cilët ndër të tjera theksojnë se duhen konsumuar ushqimet sezonale, për të qënë më mirë të ushqyer, duke shmangur kështu edhe ushqimet e rënda apo të nxehta, të cilat nuk janë të këshillueshme në vapën e stinës.


Duhet të zgjedhim që të konsumojmë ushqime të cilat janë të pasura me ujë për të bërë të mundur kështu hidratimin e trupit, kaq të nevojshëm në stinën e nxehtë. Këshillohet konsumimi i frutave e perimeve e shmangia e ushqimeve të nxehta e të skuqura. Sipas tyre duhet të shmangen ato që njihen si “ushqime të bardha”, të tilla si orizi, buka, sheqeri e produkte të tjera të ngjashme


Përsa i përket ëmbëlsirave, aq shumë të dashura për njerëzit në përgjithësi, specialistët këshillojnë që është më mirë ti përgatisim vetë në shtëpi, e jo ti blejmë të gatshme. Një mënyrë kjo për të shmangur rrezikun që vjen nga prishja e tyre në këtë valë të nxehti.


Kategoritë e njerëzve më të rrezikuar:
“Mosmbajtja e një balance në ushqyerje, mund të sjellë një sërë komplikacionesh”- theksojnë mjekët. Më të rrezikuar përballë nxehtit të stinës janë fëmijët dhe të moshuarit. Kjo për faktin se të dy kategoritë kanë imunitet të dobët e janë më të predispozuar për tu prekur nga komplikacione të ndryshme.Mund të ndodhë sipas mjekëve, që vala e të nxehtit të sjellë çrregullime të stomakut, ndaj një nga këshillat më të rëndësishme që vjen është shmangia e konsumimit të ushqimeve të fastfood-eve, pasi këto ushqime treten me vështirësi e krijojnë komplikacione me shëndetin.

Komplikacionet që vijnë nga keqruajtja e produkteve ushqimore:
Për të shmangur një sërë sëmundjesh dhe efektet negative shëndetësore që ato kanë, është e rëndësishme që gjatë kësaj stine të mbahen parasysh dhe të ndiqen me kujdes disa rregulla dhe rekomandime. Sipas specialistëve, në këtë sezon shumica e produkteve ushqimore, të të gjitha kategorive për shkak të temperaturave të larta pësojnë një farë denatyrimi, substancat e të cilave shndërrohen në sëmundje të llojeve të ndryshme për organizmin.

Ndërkohë që mundësia e kontaminimit të shumë produkteve ushqimore përfshirë këtu edhe lëngjet është shumë herë më e lartë se sa në periudhat e tjera. Në raste të tilla, mosmbajtja e ushqimit në vende të freskëta shkakton tek njerëzit helmimin, e cila sjell pasoja të rënda për shëndetin e tij.

Shenjat kryesore që shfaqen tek njeriu, pasi ai ka ngrënë një ushqim, të cilin nuk e ka mbajtur në kushte të duhura janë: të vjellat, heqje barku, temperaturë, dobësi trupore, zverdhje të lëkurës, djersë etj. Gjithashtu një kujdes i veçantë duhet treguar dhe në mbajtjen e një higjiene të rreptë ndaj këtyre produkteve përpara se të konsumohen. Kjo do të mbante larg organizmit shumë sëmundje, që mund të lënë edhe pasoja fatale për shëndetin.

Një këshillë vjen edhe për të sëmurët me diabet apo me të sëmurët me zemër, të cilët janb më të ndjeshëm ndaj komplikacineve që sjell vala e nxehtit të stinës. Sipas mjekëve këto kategori njerëzish duhet që të shmangin konsumimin e alkoolit, duhanit apo lëngjeve të gazuara. Këshilla më e rëndësishmë për të gjithë kategoritë e njerëzve është: Konsumoni sa më shumë lëngje, veçanërisht ujin natyral!

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: