Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur se nuk ka pasur asnjë shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin penal ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Sipas aktvendimit të publikuar të enjten, pretendimet e Mustafës për shkelje të të drejtave të tij gjatë procedurës gjyqësore në Dhomat e Specializuara janë hedhur poshtë. Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të papranueshme një pjesë të ankesave të tij, ndërsa pjesën tjetër i ka refuzuar si të pabazuara.
Mustafa kishte pohuar se e drejta e tij për një gjykim të drejtë ishte shkelur, duke argumentuar se aktgjykimi për vrasje të paligjshme nuk kishte arsyetim të mjaftueshëm nga Trupi Gjykues dhe Paneli i Apelit. Megjithatë, Dhoma Kushtetuese nuk konstatoi asnjë gabim ligjor apo faktik që do të cënonte vendimet e gjykatave më të ulëta.
Për sa i përket ankesës tjetër, që kishte të bënte me mospërdorimin e një ligji më të favorshëm për dënimin e tij nga Paneli i Gjykatës Supreme, Gjykata theksoi se Dhomat e Specializuara funksionojnë mbi bazën e një kornize ligjore të veçantë, ku Ligji për Dhomat e Specializuara është autoriteti kryesor dhe i detyrueshëm për gjykatat brenda këtij sistemi.
Gjithashtu, Mustafa kishte kundërshtuar edhe pjesëmarrjen e Mbrojtësit të Viktimave në procesin për mbrojtjen e ligjshmërisë. Por Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë ankesë duke theksuar se ai nuk e kishte ngritur këtë çështje në instancat më të ulëta, çka e bënte të papranueshme në këtë fazë.