ELBASAN- I pazakontë për nga vendi ku u zhvillua, por i ngjashëm si çdo sfidë tjetër derbi. Partizani-Tirana respektuan historinë e këtij takimi epik. Tifozët dhuruan spektakël në tribuna, ndërsa lojtarët dhanë gjithçka në fushë, dhe emocionet përfunduan vetëm në sekondën e fundit. Akti i parë i ndeshjes më të rëndësishme të futbollit shqiptar ishte i bukur edhe në fushë, dy ekipet si rrallë herë zhvilluan një futboll të shpejtë, një futboll ofensiv që i dha edhe më shumë ngjyra këtij takimi. Partizani ishte thjeshtë i pafat, pasi shtyllat dhe mbi të gjitha Iljon Lika i mohun fitoren, por kjo ishte një nga ato takime ku edhe mund ta humbisnin nëse sulmuesit e Tiranës do të ishin më të qetë përpara porte.

Barazim pa gola ishte rezultati i fundit që mund t’i shkonte përshtat këtij derbi, rezultati i fundit që mund të kënaqte egon e dy ekipeve të etura për pikë në këtë fillim sezoni.

“Elbasan Arena” i ngjyrosur me ngjyrat e derbit kryeqytetas krijoi një atmosferë elektrizuese, karikimi i tifozëve kishte impakt të menjëhershëm tek futbollistët në fushë, teksa ritmi si rrallë herë ishte i lartë. Ekuban, sulmuesit të vetëm të Partizanit, i mjaftuan 8 minuta lojë për t’u shkëputur shpejt në krahun e majtë, por anësori e ndali për pozicion jashtë loje, duke dhuruar rastin e parë.
Sinjalin e parë të rrezikshëm në derbi e lëshoi Partizani me një goditje të fortë nga distanca, por topi u përplas në tokë duke vënë në vështirësi Iljon Likën që u zgjat duke devijuar në goditje këndi.

Tirana kundërpërgjigjet me Mervill, afrikani është i pandalshëm aq se e detyron Berton të shkaktoj faull taktik , me Jorgjin që nuk heziton duke e ndëshkuar me karton të verdhë. Nëse në fushë loja ndalet në disa moment, në tribuna tifozët nuk u ndalën në asnjë moment së mbështeturi beniaminët e tyre. Bardheblutë kishin mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh në minutën e 31-të, teksa Mervill bën gjithçka mirë deri në hapin e fundit. Por mjafton një prekje e lehtë e Krasniqit për t’i prishur ekuilibrin sulmuesit kongolez. Topi kthehet në asis në këmbët e Edeh, por nuk arriti të fluturonte në rrjetë.

Iljon Lika në minutën e 42-ë në përpjekje për të spastruar zonën dërgoi topin tek Torasa, fantazisti nuk u mendua dy herë dhe goditi menjëherë, por sërish Lika me këmbë mbajti portën e paprekur.
Në minutën e fundit të pjesës së parë ishte Tirana që zbriti frikshëm në një kundërsulm të shpejtë. Moise e nxori ekipin tre kundër dy, por në pasin final për Marvile nuk u tregua i saktë.

Fillimi i pjesës së dytë nisi me flamurin më të bukur në botë, atë shqiptar, të shpalosur në tribuna, ndërsa në fushë spektaklin e dhuroi Torasa. Fantazisti shtatshkurtër me një të djathtë të thatë tronditi shtyllën e Likës në minutën e 55-të. Gardiani i Tiranës ishte thjeshtë me fat në këtë moment.

Ritmi vazhdon të jetë i lartë edhe në këtë fraksion të lojës, me sulme kundërsulme të njëpasnjëshme. U desh hedhja e flakadanëve në fushë nga tifozët e Partizanit për të ndalur lojën dhe për t’i dhënë frymëmarrje lojtarëve, me gjyqtarin Jorgji që ndali takimin për disa minuta. Tirana ishte thjeshtë me fat në pjesën e dytë. Iljon Lika duhet të falënderojë sërish shtyllën, pasi ishte e vetmja pengesë ndërmjet Partizanit dhe golit.

Pas Torasës ishte Batha në minutën e 68-të që goditi traversën nga një goditje dënimi. Partizani ishte dukshëm skuadra më e mirë në fushë në pjesën e dytë, të paktën deri në minutën e 71-të, presuan shumë në zonën e Likës duke vënë nën presion të gjithë prapavijën e Tiranës.

Zyrtarisht Tirana ka heroin e saj në këtë derbi, portierin Ilion Lika që në minutën e 87-të falë instinkteve të pastra ndali nga dy metra distancë Jurgen Bardhin. Një minutë më pas ishte Alban Hoxha që bën bëri të njëjtën gjë, duke i mohuar kënaqësinë e golit sulmuesit Edeh. Ekuban kishte mundësinë e artë për t’i dhuruar tri pikët Partizanit në aksionin e fundit të sfidës, por nuk ishte e thënë që derbi i parë i kryeqytetit të kishte një ftues.

Partizani 0 – 0 Tirana

MINUTE PAS MINUTE

90+6′ Përfundon pa gola derbi. Partizani dhe Tirana ndajnë nga një pikë pas barazimit 0-0.

90+6′ Torasa kroson nga krahu i djathtë, por Ekuban nuk i gjen dot kohën topit dhe godet keq. Rasti i fundit i ndeshjes.

90+5′ Nika hedh një krosim nga e majta, por Hoxha i vëmendshëm kap topin para se Mervil të godiste drejt portës.

90+2′ Ilir Daja e mbyll me zëvendësimet, duke hedhur në fushë Ansi Nikën në vend të nigerianit Edeh.

90′ Gjyqtari akordon 6 minuta shtesë.

88′ Kërcënon edhe Tirana me nigeriani Edeh, i cili shfaqet i vetëm me portierin. Por Alban Hoxha që bën mrekullinë në dalje, duke shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt.

87′ Tjetër rast i pastër për të kuqtë: Ekuban kalon Muçën nga e djathta, pason për Bardhin i cili bllokohet nga portieri Lika.

87′ Pas njoftimit të gjyqtarit, kapiteni Gentian Muça u bën thirrje tifozëve bardheblu të ndalin koret fyese.

85′ Batha është i ndëshkuari i radhës te Partizani, karton i verdhë për mesfushorin.

82′ Zëvendësimi i dytë edhe për Tiranën, me Moisen që i lë vendin Vucajt.

78′ Olsi Teqja bëhet i ndëshkuari i katërt i Tiranës. Qendërmbrojtësi mori karton të verdhë pasi ndali me faull Lorenc Trashi.

76′ Ndërrimi i parë për Tiranën, me kapitenin Karabeci që i bën vend Romualdit.

75′ Sormani bën lëvizjen e dytë: ikën Vila, në lojë Jurgen Bardhi.

72′ Torasa këmbëngul nga e djathta, por fillimisht Muça ndal topin e më pas Hoxhallari rrezikon të bëjë autogol. Në goditjen e këndit, Muça dhe Ekuban përplasen mes tyre dhe u duhet ndihma e mjekëve. Të dy fashojnë kokën.

68′ Nga goditja e dënimit, Idriz Batha lëshon një predhë me të djathtën që stampohet në traun e portës, e më pas Lika e nxjerr jashtë. Të kuqtë përsëri të pafat.

67′
Tjetër karton i verdhë për bardheblutë: kapiteni Karabeci ndal në mënyrë të parregullt nga prapa Bathën dhe ndëshkohet.

61′ Ndërpritet loja në pritje që të shpërndahet tymi i hedhur nga tifozët e Partizanit. Lojtarët përfitojnë për të shuar etjen dhe për të marrë këshilla nga trajnerët.

60′ Hoxhallarit i duhet të bëjë faull për ta ndalur Torasën e papërmbajtshëm pranë zonës bardheblu. Karton i verdhë për mbrojtësin e Tiranës.

58′ Tjetër mundësi për Partizanin, me Vilën që zbret shpejt dhe gjuan nga hyrja e zonës. Por topi i goditur nga mesfushori shkon jashtë. 56′ Rasti më i mirë i ndeshjes deri tani. Agustin Torasa bën gjithçka mirë dhe, pasi shmang dy kundërshtarë, lëshon një të djathtë nga distanca që ndalet nga shtylla.

47′-51′ Ka nisur me ritëm më të ulët gjysma e dytë e derbit, me lojën që është përqendruar në mesfushë.

46′ Pjesa e dytë nis me një zëvendësim te Partizani. Trajneri Sormani lë në dhomat e zhveshjes Luka Bertonin për t’i bërë vend Ylber Ramadanit.

45+1′ Mbyllet me rrjeta të paprekura gjysma e parë e lojës. Partizani 0 – 0 Tirana.

45+1′ Tre afrikanët e Tiranës dalin shpejt në kundërsul, por pasimi i fundit është i gabuar dhe Alban Hoxha kontrollon pa problem topin.

43′ Vazhdon të ngulmojë Partizani. Lika grushton një krosim nga e majta, topi shkon te Torasa që gjuan fluturimthi, por pret sërish portieri bardheblu.

42′ Aksion i Partizanit nga e djathta. Torasa i rrëmben me zgjuarsi topin Hoxhallarit dhe pason tek Ekuban. Ky i fundit provon të hedhë një pasim drejt zonës, por topi devijohet nga Muça në goditje këndi.

36′ Ndëshkohet Afrim Taku. Mesfushori i bardhebluve mori të verdhë pasi ndali në mënyrë të parregullt në mesfushë Agustin Torasën që po vraponte me shpejtësi drejt zonës së Ilion Likës.

32′ Mervil merr një pasim të shkëlqyer nga Edeh dhe i afrohet vrullshëm portës së Partizanit. Krasniqi e ndal në zonë dhe Hoxha i bllokon topin në dalje, gjë që i bën bardheblutë të kërkojnë penallti. Megjithatë nuk është i të njëjtit mendim arbitri Jorgji.

26′-31′
Ulet paksa ritmi në fushë, me lojën që ndalohet vazhdimisht për faulle dhe gabime të shumta nga të dyja skuadrat. Megjithatë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për tifozët, të cilët nuk e ndalin për asnjë minutë mbështetjen për ekipet e tyre.

25′ Ndëshkohet edhe sulmuesi Kaleb Ekuban për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Dorian Kërçikut në mesfushë.

24′
Karton i verdhë për Luka Bertonin. Mesfushori italian i Partizanit ndëshkohet pasi ndalon nga prapa mesfushorin Mervil, i cili po i drejtohej rrezikshëm zonës e të kuqve.

17′ Rasti i parë i rrezikshëm. Emiliano Vila vë në provë Ilion Likën me një të djathtë të bukur nga larg, por “gardiani” bardheblu përgjigjet në të njëjtën mënyrë duke e çuar topin në këndore.

16′ Në aksionin pasardhës, Partizani zbret shpejt në zonën bardheblu. Megjithatë, Ekuban vonohet dhe bllokohet nga mbrojtësit e Tiranës.

15′ Moises merr një pasim të bukur vertikal nga Mervej, por portieri Hoxha del me shpejtësi duke e zotëruar topin para se sulmuesi bardheblu të godiste.

10′-15′ Spektakël në shkallët e stadiumit, me të dyja tifozëritë që nuk i kanë ndalur për asnjë çast këngët dhe brohorimat në stadium.

9′ Partizani provon të zbresë në kundërsulm të shpejtë, por Ekuban kapet në pozicion jashtë loje. Vendim i gabuar i anësorit.

5′ Minuta të vrullshme dhe me ritëm të lartë nga të dy ekipet, por ende asnjë rast i pastër në dy portat.

1′ Dëgjohet fishkëllima që i jep udhë derbit. Tirana e luan topin e parë.

Partizani (4­-1-­4-­1): Hoxha; Fejzullahu, Krasniqi, Atanda, Kalarai; Bertoni; Vila, Trashi, Batha, Torasa; Ekuban
Trajner: Adolfo Sormani
Tirana (4-­3­-3): Lika; Kërçiku, Muça, Teqja, Hoxhallari; Mervej, Karabeci, Daja; Taku, Edeh, Moises
Trajner: Ilir Daja
Gjyqtar: Enea Jorgji

(el.sp/er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: