Nuk ka paqe për Zhoze Murinjo, i cili e ka ngritur në një tjetër shkallë përplasjen e tij me Pol Pogba.Trajneri e ka hedhur në treg raportin e tendosur me mesfushorin, duke preferuar të përjashtojë “live” nga seanca stërvitore futbollistin.

Por, mediat angleze bëjnë të ditur se “Special One” ka bërë një tjetër armik në dhomat e zhveshjes. Pas Pol Pogba, përplasjet e të cilit me trajnerin tashmë janë publike, në shënjestër të portugezit ka përfunduar Markus Rashford.

Duke qëndruar në atë që raportojnë të përditshmet britanike, Murinjo e ka kritikuar ashpër sulmuesin në përfundim të ndeshjes së fundit në Champions kundër Jang Bois.

Kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak futbollistit, i cili ka kaluar në atë që mediat angleze e cilësojnë si klani anti-Murinjo. Duke qëndruar në atë që raporton “Daily Mail”, Mançester Junajtid është ndarë në dy pjesë dhe situata nuk është aspak e qetë.

Pavarësisht kësaj, Zhoze Murinjo nuk tërhiqet dhe vazhdon përpara me idetë e tij, por rezultatet nuk e ndihmojnë aspak. Barazimi në kampionat kundër Volves dhe eliminimi në Kupën e Ligës nga Derbi Kaunti kanë tronditur sërish pankinën e trajnerit.

Edhe humori në klub nuk është aspak i mirë, ndërsa edhe tifozët nuk janë të kënaqur. Kjo situatë rikthen në vëmendje edhe një herë emrin e Zinedin Zidan, i cili prej muajsh shihet si zëvendësuesi i Murinjos.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb