Nga Zonja Katerina
Përberësit

1 kg spinaq, 1 filxhan oriz, ½ finok, 3-4 qepë të njoma, 4 lgj vaj ulliri, 2-3 lgj uthull, 1 gotë verë, Kripë, piper, koper, Cipë portokalli

Salca shoqëruese me kos
200 gr kos, ½ lgj niseshte, 1 portokall (lëngu), Kripë, piper

Filetot e pulës:
2 fileto pule, Kripë, piper, rozmarinë, Hudhër, rigon, Vaj ulliri, Lëng perimesh, Lëng limoni.

Përgatitja

Në një tenxhere me gjysmën e sasisë së vajit kaurdisim finokun së bashku me qepët e njoma. Sapo qepët të fillojnë të zbuten pak shtojmë orizin dhe vazhdojmë kaurdisjen. Më pas e shuajmë me verë dhe uthull dhe sapo të avullojë alkooli shtojmë spinaqin dhe e lemë në zjarr derisa të ulë vëllimin. Më pas shtojmë cipën e portokallit, kripë, piper dhe pak lëng perimesh ose ujë. E lemë buraninë të ziejë në temperaturë mesatare për 18-20 minuta. Pasi burania të ketë përfunduar shtojmë pak koper të grirë hollë.

Ndërkohë përgatisim salcën me kos. Hedhim kosin në një tenxhere të ngrohtë ku shtojmë lëngun e portokallit të cilin e kemi përzier me ½ lugë niseshte. E trazojmë derisa të lidhet salca dhe në fund rregullojmë shijen me kripë dhe piper.

Në një tigan që nuk ngjit vendosim filetot e pulës të cilat i kemi spërkatur me kripë, piper nga pjesa e lëkurës. I lemë të piqen filetot nga njëra anë sa të ndryshojnë ngjyrë, i kthejmë më pas duke shtuar në tigan dhe pak hudhër të shtypur, rigon dhe rozmarinë. Hedhim dhe pak lëng perimesh ose ujë, vendosim kapakun dhe i lemë filetot të gatuhen për 15 minuta.

Në fund bëjmë servirjen e recetës duke vendosur në pjatë spinaqin e gatuar me oriz, filetot e pulës dhe salcën shoqëruese me kos.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb