Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në fjalën e saj në parlament, ku u diskutua për ngritjen e një Komisioni Hetimor për të shkarkuar presidentin Meta, tha se kreu i shtetit dhe opozitarët e rrugës kanë plan për të shkatërruar të ardhmen europiane të Shqipërisë.


Spiropali deklaroi se Meta ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë, është sjellë arbitralisht me ligjin dhe ka vendosur datë tjetër mbi zgjedhjet, duke turpëruar Shqipërinë, shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit.

Ilir Meta nuk ka shkelur vetëm Kushtetutën e Shqipërisë, por më zi akoma ka shkelur brutalisht mbi Republikën tonë parlamentare, por cenon bashkëjetesën politike. Gjashtë muaj përpjekje për të shkatërruar zgjedhjet. Vërtetë opozita ishte ajo që protestonte me molotov, por flakët i mbante presidenti Meta. Shqipëria përjetoi kaos dhe Meta nuk doli kurrë kundër këtij tmerri. 30 qershori do kthehej në një luftë, për shkak të opozitës. Presidenti për luftën pa fre për pushtet, president u kthye në simbol kombëtar të dhunës e kërcënimit, duke rrënuar rëndë imazhin e vendit. Ilir Meta nga zyra e tij kishte plan atentati ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë, bashkë me bashkë-opozitarët e rrugës.


Ky atentat dështoi falë vendosmërisë së parlamentit shqiptar për të mos lejuar të tillë pazar të kurriz të vendit. Nismën e parlamentit  ka mbështetur edhe partneri ynë strategjik, SHBA dhe BE. Këta miq historik u gjend3n në krah të parlamentit dhe popullit shqiptar. Meta ka shkelur Kushtetutën, është sjellë arbitralisht me pushtetin, ka anuluar arbitralisht datën e zgjedhjeve, ka cenuar parimin e Kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Mbi të gjitha Ilir Meta po cenon përditë institucionin e presidentit, po tall një popull të tërë dhe lëshon silura ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Ta ngremë Komisionin Hetimor. T’i japim mundësi Metës që të kthehet sa më shpejt tek livadhi i LSI. Komisioni duhet ngritur për të shpëtuar Republikën tonë nga turpërimi i mëtejshëm”, tha Spiropali.


(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb