Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerësoi sot se investimet publike në bujqësi janë një prej burimeve kryesore për rritjen e prodhimit dhe konkurrueshmërinë e produkteve agroushqimore “Made in Albania”.
Në sallën e seancave plenare të Kuvendit, zhvilloi punimet sot samiti rajonal parlamentar, me temë “Rruga drejt sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agroushqimore në rajon”.
Në samit marrin pjesë anëtarë të komisioneve parlamentare të bujqësisë dhe ushqimit të vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore.
Duke iu adresuar këtij samiti, Spiropali u ndal te sfidat e zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë.
Ajo vlerësoi se çështjet e zhvillimit bujqësor dhe cilësia ushqimore janë përparësi e të gjitha vendeve, veçanërisht në kontekstin e stabilitetit dhe kërcënimeve gjeopolitike.
“Të tilla i konsiderojmë në Shqipëri duke u munduar të krijojmë një sinergji funksionale ndërmjet zhvillimit bujqësor, rritjes dhe shtimit të shërbimeve, përmirësimit të cilësisë së jetës në zonat rurale dhe përmirësimit të cilësisë ushqimore për të gjithë popullatën”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi po ashtu se “Shqipëria ka arritur sukses të konsiderueshëm në reduktimin e fragmentimit të tokës bujqësore, nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe modernizimin e shërbimeve bujqësore për të mbështetur fermerët dhe prodhuesit në sektorin agro-ushqimor.