Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Elisa Spiropali, në takimin me të rinjtë e PS theksoi në fjalën e saj se 11 maji nuk përfaqëson thjesht një tjetër proces zgjedhor, por një moment historik për vendin.
Ajo shprehu besim të madh tek fitorja, duke thënë se nuk është e shqetësuar për kundërshtarët, pasi është e sigurt për rezultatin, por që gara është më shumë me veten, për të përmirësuar veten çdo ditë dhe për të bërë gjithmonë më shumë për Shqipërinë.
Spiropali theksoi arritjet e Partisë Socialiste, duke përmendur se të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë trefishuar krahasuar me vitin 2013, dhe se GDP-ja e vendit është rritur 2.6 herë më shumë. Ajo theksoi gjithashtu rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe shpresën që paga minimale të arrijë 500 euro brenda vitit tjetër. Sipas saj, Shqipëria është shumë më afër Bashkimit Europian dhe se qeverisja ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, si rritja e turizmit dhe përparimi në sektorë të ndryshëm.
Spiropali e cilësoi këtë proces zgjedhor si një ngjarje vendimtare për Shqipërinë, duke e krahasuar me momentin kur u përmbys sistemi diktatorial. Ajo theksoi se ky proces është një hap i rëndësishëm drejt një Shqipërie evropiane, dhe se ky hap do të shënojë fundin e tranzicionit dhe fillimin e një periudhe të re për vendin.