TIRANË

Nga Shtabi i Emergjencave i ngritur në Prefekturën e Tiranës, janë ngritur 6 pika të emergjencave në ambiente të hapura, kryesisht për ata banorë që mund të kenë nevojë për ndihmë. Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka vizituar një nga këto pika të vendosur pranë stadiumit Dinamo, nga ku deklaroi në një komunikim me gazetaren Doriana Bezat në News24 se të gjitha institucionet janë në gatishmëri dhe janë marrë të gjitha masat.

“Këtu janë forcat e policisë që do të jenë gjatë gjithë natës dhe po ashtu mjekët vullnetarë. I gjithë shteti është në këmbë. Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet. Kemi marrë masat për çdo eventualitet. Është ngritur dhe shtabi i emergjencave. Do jemi këtu dhe në pikat e tjera që do ngrihen. Ftoj qytetarët që nëse kanë shqetësime mund të vijnë në këto qendra dhe do shërbehen”, deklaroi Spiropali.

Ndërsa prefektja e Tiranës Suzana Jahollari tha se emergjenca do të vazhdojë për sa kohë do të ketë problematika. Sipas saj, 4 pallate janë të çara ose me problematika të ndryshme.
Pikat e Emergjencave do të jenë në:
1- Rrugën “3 Deshmorët”, Yzberisht;
2- Liqeni i Thatë;
3- “Bulevardi ri”, Kashar;
4- Stadiumi “Dinamo”;
5- Kisha në Rr. “Don Bosko”;
6- Shkolla “Betim Muço”, Kombinat.
Shërbimet e strukturave të shtabit do të jenë prezente në këto pika.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb