Drejtuesja politike e PS-së për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, u bëri apel sot të rinjve në Kamzë të votojnë për PS-në. Në takimin me të rinjtë, Spiropali tha se ata duhet ta investojnë këtë votë që Shqipëria të jetë në dyert e BE-së dhe të hyjmë të ulemi në atë tryezë si të barabartë.
”Ju e dini më mirë se unë se si ishte Paskuqani para pak vitesh e si është sot. Si ishte Kamza e si është sot. Mund të themi me plot gojën që puna që është bërë këtu nga kryebashkiaku Rakipi me mbështetjen e Kryeministrit Rama ka ndryshuar rrënjësisht situatën e infrastrukturës, shërbimeve dhe familjeve në bashkinë e Kamzës”.
Spiropali tha se në 2019 vetëm 35 % e territorit të bashkisë Kamzë ishte e e mbuluar me ujësjellës kanalizime.
”Këtu janë bërë 165 km rrugë dhe janë në proces 65 kilometra të tjerë dhe 95% e territorit është sot e mbuluar me ujësjellës kanalizime. Janë rindërtuar dhe rikonstruktuar 39 objekte arsimore, çerdhe, kopshte dhe shkolla.
Në bashkinë e Kamzës janë 20 mijë nxënës. Është bashkia e tretë me numrin më të lartë të nxënësve në vend. Është një bashki e re me plot energji, prandaj kemi investuar kaq shumë në çerdhe, kopshte, shkolla, rrugë, parqe, pedonale. Në këtë park 84 ha i janë kthyer si pronë bashkisë së Kamzës dhe të gjithë qytetarëve këtu”, u shpreh Spiropali.
Po ashtu Spiropali nënvizoi mes të tjerash: ”Vota juaj nuk është për një rezultat zgjedhor, por votë për Pasaportën Europiane. Mashështorët dhe qumështorët, mendojnë se do bëjnë detin kos dhe liqenin e Paskuqanit pilaf. Në një kohë që e lanë Kamzën kënetë e moçal, ne e transformuam dhe lulëzuam”.
(BalkanWeb)