TIRANË- Deputetja e PS-së Elisa Spiropali ka akuzuar Partinë Demokratike se kërkon të marrë pushtetin me dhunë. E ftuar në News24 në rubrikën “Opinion” Spiropali tha se opozita po nxit dhunën dhe urrejtjen sepse nuk ka asnjë vizion, asnjë shpresë se mund të vijë në pushtet me vota.


“Me të vërtetë nuk e kuptoj se ç’punë ka opozita e vendit dhe drejtuesit e saj të nxisin njerëzit. Ç’punë kanë këta deputetë të PD të dalin aty, të nxisin dhunë këtë nuk e kuptoj. Ndoshta kjo shpjegohet me faktin se kjo opozitë që nuk ka asnjë vizion, asnjë ide, asnjë shpresë që të vijë në pushtet me vota do ta marrë pushtetin me dhunë”, deklaroi Spiropali.


Ajo komentoi veprimin e ish-kryeministri Sali Berisha dhe thirrjet e tij në mbledhjen e grupeve parlamentare të LSI-së dhe PD-së.
“Deklaratat e tyre i njohim, tjetër thonë, tjetër të bëjnë. Janë përsosmërisht jokoherentë për ato që thonë dhe që bëjnë. Më treguese se ajo goditja e tavolinës me dorë, dalë nga mbledhja e PD-LSI unë nuk njoh. Në rast se do ta citoja zotin Berisha, liderin e vërtetë të PD-së ai tha se ne do të nxisim njerëzit. Përkthimi i vërtetë është ky që ‘ne nuk ja dalim dot me vota me këtë lider që ju kam bërë peshqesh, zotin Basha. Ne mund t’ja dalim vetëm duke nxitur vatra konflikti dhe duke përmbysur qeverinë’ sipas tij. Berisha vajti edhe më thellë në këtë pjesë, duke deklaruar në takime informale, duhet të djegim mandate etj. Shkurt, rroftë sebepi i kuksianëve që t’i përdorim si mishi për top. Kjo nuk ishte politikë, është portreti i përkufizuar e asaj që do të bëjë PD”, tha Spiropali.


Ajo tha se dhuna në protestën që u bë në “Rrugën e Kombit” ishte e nxitur nga PD.
“Unë mendoj që aty ka elementë siç po del, por i takon prokurorisë të hetojë. Njerëzit që ishin aty për protestë paqësore është një gjë dhe opozita dhe njerëzit që nxitën dhunën, një gjë tjetër”, u shpreh ajo.

Deputetja e PS-së tha se procesi i dhënies me koncesion ka nisur që në qeverinë “Berisha” dhe se do të ketë lehtësira për banorët që janë pranë sportelit.
“Procesi i dhënies me koncesion ka filluar që në 2010-ën. Ishte kryeministri Berisha që deklaroi me gojën e tij, se ne e bëmë këtë rrugë por është e pamundur ta mirëmbajmë. Ka pasur një vijimësi të projektit të dhënies me koncesion.
Ata njerëz që nuk mund ta paguajnë për arsye të ndryshme, kanë lehtësira, kanë abone me kosto të papërballueshme.
Kërkohet një bashkëpunim me pushtetin lokal dhe është një gjë e realizueshme. Mjafton që politika të mos i bjerë daulles së luftës, të mos i nxisë qytetarët, kërkohet një komunikim normal. Nuk kemi parë as në Serbi, as në Mal të Zi, as në Maqedoni që opozita t’i bjerë fyellit të luftës. Kjo është e turpshme. Është qesharake dhe e pasuksesshme sepse njerëzit e kanë të qartë se kush janë ata.
Ne e kemi nisur në çdo studio. Do dalim nesër në parlament. Jemi të gatshëm të ulemi me përfaqësuesin e tyre që është kryebashkiaku që përfaqëson edhe të majtë edhe të djathtë. Dhe pastaj ai të vazhdojë shpjegimin me banorët”, deklaroi Spiropali.

(m.k/BalkanWeb)