Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në një takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik.
Spiropali dhe Kamberi siç njofton zyra e shtypit, kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e Kuvendit me institucionet dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Fokusi është vënë te mbështetja e zhvillimit dhe rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale, përmirësimin e shërbimeve publike arsimore e shëndetësore, forcimin e identitetit kombëtar e kulturor.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin e forcave politike shqiptare të Luginës, respektimin e të drejtave të tyre, nxitjen e dialogut me institucionet dhe rritjen e përfshirjes së shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por edhe kudo tjetër në Serbi, në proceset integruese të vendit.
Kryeparlamentarja Spiropali ka nënvizuar se pozita e fortë ndërkombëtare e Shqipërisë do të jetë një garanci më shumë për sigurimin e mbështetjes për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
(BalkanWeb)