TIRANË- Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka folur për koalicionin qeverisës, ‘përplasjet’ e saj me përfaqësues të LRI-së dhe reformën në drejtësi. Në rubrikën “Opinion” në News24, Spiropali deklaron se opozita nuk e donte reformën në drejtësi por se u detyrua ta votonte pasi ishin bërë votat me kërbaçin e ndërkombëtarëve.

Ajo thotë se opsioni i qeverisë teknike është një hile e opozitës për të penguar reformën.

“Është një detyrim që e kemi jo vetëm ndaj partnerëve ndërkombëtarë por edhe një detyrim që politika e ka ndaj qytetarëve, mbi 90 % duan ndryshim të sistemit të drejtësisë. Është një raport që ne nuk mund ta injorojmë e anashkalojnë por duhet të plotësojmë detyrimet”, thotë Spiropali.

E pyetur se si po përmbushen detyrimet nga të dyja palët e koalicionit, Spiropali thotë se maxhoranca e ka treguar vullnetin e saj politik.

“Nuk më takon mua të bëj rolin e gjykatësit për vlerësimin e koalicionit. Maxhoranca ka patur vullnet për ta votuar reformën, ndërsa ka pasur një stepje nga opozita për ta votuar, e cila u detyrua. Interesi më i madh i partnerëve tanë, që Shqipëria të kenë një zhvillim të mbarë dhe të jenë një shtet i fortë, i konsoliduar dhe shtet i së drejtës. Vullneti politik mund të bëjë ndryshimin. Nëse vullneti politik është nga të gjitha forcat, unë mendoj se nuk ka hezitim. Sot jemi një hap më afër BE-së, falë miratimit të reformës. E gjithë zhurma dhe të gjitha akuzat dhe kundër akuzat në treg janë një mënyrë për të hequr vëmendjen nga ajo që është thelbësore, miratimi i këtyre ligjeve”, u shpreh ajo.

Për sa i përket lajmeve se ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin është proceduar në vendin e saj, Kroaci për fshehje të pasurisë, Spiropali tha se ky është një sulm i turpshëm.

“Sulmi ndaj Vlahutin, i paprecedentë dhe i turpshëm. Ambasadorja e BE-së është një nga aktorët më të fortë për reformën në drejtësi. Që nga morali personal dhe deri tek ai dokument që është deformuar dhe keqinterpretuar. Është e papranueshme që sulmin ndaj BE-së ta drejtosh ndaj përfaqësueses së BE. Është koha më e mirë për t’u bërë të gjithë bashkë dhe për ta miratuar reformën”, tha ajo.

Spiropali tha se opozita nuk e donte reformën në drejtësi dhe se i qëndron sërish këtij konstatimi të saj.

“Është e dukshme. Opozita e vendit, nuk e them unë por të gjitha analizat me këmbë në tokë, ka gjetur alibi për të mos e votuar dhe u detyrua ta votonte kur u bënë votat me kërbaç. Kur u bënë votat opozita dha konsensus.  E gjithë maxhoranca tregoi vullnet për ta votuar”, u shpreh Spiropali.

Duke u ndalur tek debati mes saj dhe eksponentëve të Lëvizjes Rinore për Integrim, Spiropali tha se nuk ka shkëmbyer replika por ka bërë një deklaratë dhe se nuk dëshiron të bëhet pjesë e kësaj loje.

“Unë nuk kam shkëmbyer asnjë replikë me askënd. Unë nuk ja lejoj vetes të shkëmbej replika me asnjë funksionar të LSI apo LRI. Kam bërë një deklaratë. Kam thënë që ka një palë që nuk e donte reformën në drejtësi. Të gjitha shkrimet, akuzat, kundër akuzat janë të turpshme. Unë nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Unë kam bërë një deklaratë dhe kam thënë që për fyerje të caktuara mund të ketë edhe padi. Jua thashë se cili ishte thelbi i deklaratës. Mesazhi ishte ky që nuk mund të flasim për konsensus kur votat ishin bërë, sepse ishin bërë falë vullnetit të ndërkombëtarëve”, deklaroi ajo.

Për sa i përket mundësisë për qeveri teknike, Spiropali tha se ky është një koncept i atyre që duan të përmbysin rezultatin e reformës në drejtësi.

“Reforma po has probleme të jashtëzakonshme për t’u implementuar. Po dëgjoja zotin Basha, këto janë përpjekje për të futur shkopinj nën rrota. PS ka fituar zgjedhjet dhe ka një marrëveshje për të çuar në fund reformat. Historia do jetë bujare me PS dhe kryeministrin Edi Rama. Qeveria teknike është një koncept në kokën e atyre që duan ta përmbysin rezultatin e reformës në drejtësi”, u shpreh ajo.

Spiropali ka folur edhe për zgjedhjet në Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar ku tha se do të bëhen sipas parimit 1 anëtar 1 votë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: