Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, në takimin “Shtegëtarë të Shpresës, ndërtues të Paqes”, organizuar në  Kuvend, me vajza e djem nga vendet e Mesdheut dhe Detit të Zi dha disa mesazhe të rëndësishme. Spiropali tha se Shqipëria është vendi i duhur, ku mbizotëron toleranca etnike e fetare.

“Të dashura vajza e djem nga Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, Turqia, Armenia, Gjeorgjia, Rumania, Bulgaria, Greqia, Kroacia, Kosova, Bosnje- Hercegovina, Malta, Italia, Spanja, Shqipëria dhe vende të tjera.

Mirë se ardhët në Shqipëri, në Tiranë dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Të dashur Monsignor Arjan Dodaj dhe Atë Alexis Leproux,

Të nderuar miq,

Ndjehemi të vlerësuar që, në vijim të takimit me të rinjtë  që u zhvillua në shtator 2023 me Papa Françeskun në Marsejë, Kuvendi i Shqipërisë ka nderin të mirëpresë takimin  e radhës MED 24 në Tiranë.

Si një stacion tjetër i kontributeve për paqe, harmoni e mirëkuptim, në zbatim të porosisë së Papa Françeskut në Marsejë se “të rinjtë e mirëformuar dhe të orientuar drejt frymës së vëllazërisë mund të hapin dyer të papritura të dialogut dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe paqësore”.

U lumturova sot në mëngjes kur ndoqa video-mesazhin e Papa Franceskut drejtuar këtij takimi, i cili, siç nënvizoi Ati i Shenjtë,  “Zhvillohet 10 vjet pas udhëtimit tim të paharrueshëm në Shqipëri. Ju, të rinjtë e pesë brigjeve të Mesdheut, jeni brezi i ri dhe aveniri i rajonit të Mesdheut. Vëllazërimi mes pesë brigjeve të Mesdheut është përgjigja më e mirë që ne mund t’u japim konflikteve e indiferencave vrasëse. Përpiquni bashkarisht të kapni sinjalet e kohës.”

1.

Të dashur miq,

Ju sot keni ardhur në Shqipëri, në vendin e duhur ku mund të flitet për rolin e besimeve fetare si instrument për paqen. Në vendin ku harmonia fetare është një përmasë vitale e jetës shpirtërore, një vlerë universale e botës shqiptare. Në vendin ku besimet dhe ndjenjat fetare mbijetuan, pas imponimit për gjysëm-shekulli të një ateizmi shtetëror.

Toleranca fetare e njohur e shqiptarëve ka kontribuar që besimet fetare të bëhen pjesë e jetës shpirtërore e shoqërore dhe komunitetet fetare të shkëmbejnë vlerat e tyre më të arrira. “Kisha jote është edhe kisha ime” thotë një fjalë e urtë. Në Shqipëri kjo është jetërsuar në sentencat “Xhamia jote është dhe imja. Teqeja jote është dhe imja.”

Kjo që po ju them nuk është sajesë dhe as retorikë. Është një realitet. Besimtarët shqiptarë jo vetëm festojnë festat fetare të besimeve të tjera, ndajnë me ta gëzimet e ngjarjeve të shënuara fetare, por edhe frekuentojnë institucionet e besimeve të tjera.   Mos u çudisni kur shihni të krishterë në xhami, ose bektashinj në kishë. Nuk shkojnë për kuriozitet, por për të respektuar besimin e të tjerëve.

Këtë mund ta konstatoni edhe vetë gjatë vizitave që do të bëni  në institucionet fetare shqiptare, ku do të prekni nga afër rolin e Shqipërisë si një shembull i harmonisë fetare dhe promotor i paqes.

Mirëkuptimi dhe toleranca janë jo vetëm një pasuri e jetës së shqiptarëve, por edhe një referencë dhe mësim i madh për të gjithë ne. Sidomos për ne politikanët.

Në duhet të mësojmë nga toleranca dhe mirëkuptimi fetar. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo në vendet tuaja.

  • foto galeri
  • foto galeri

2.

Ne, banorët e Mesdheut dhe Detit të Zi, duhet ta konsiderojmë veten me fat sepse Zoti dhe natyra na kanë vendosur të jetojmë në pjesën më të bukur të globit.

Në këtë rajon, kërthizën e botës, që i ka kontribuar historisë, kulturës, qytetërimeve, besimeve, shkencës dhe zhvillimit botëror më shumë sesa çdo pjesë tjetër e botës.

Mesdheu dhe Deti i Zi janë mozaikë kulturash, vleresh, besimesh dhe kontribuese, jo vetëm në trashëgiminë historike e kulturore botërore, por edhe  në qytetërimet bashkëkohore.

Mes këtyre kontributeve, Shqipëria ka një rol  e meritë të veçantë, sidomos me një nga pasuritë e saj më të çmuara të saj, tolerancën dhe harmoninë fetare.

Kombet, popujt dhe shtetet tona janë sot të përfshira në procese zhvillimi, integrimesh dhe shkëmbimesh, duke synuar të kontribuojnë në mirëqenien e qytyetarëve të tyre dhe paqen në rajon.

Por zhvillimi, demokracia, paqja, mirëkuptimi dhe siguria nuk janë as dhuratë, as të mirëqena dhe as të garantuara. Ato kërkojnë kontributin e të gjithëve, të klasave politike, parlamenteve, qeverive, institucioneve dhe qytetarëve.

Por ato kërkojnë në rradhe të parë kontributin, dinamizmin, vizionin, talentin dhe pasionin e vajzave e djemve si ju.

Ne bashkë me ju kemi përbara shumë sfida, që kërcënojnë të ardhmen tonë.

Sot, retë e luftës janë shfaqur në rajon dhe kërcënimi i tyre nuk është më potencial, por real. Në dy zona të rajoneve tona po zhvillohen sot dy luftra, qëndrimin ndaj të cilave Shqipëria e ka bërë të qartë: kundër luftrave pushtuese e terrorizmit, në mbështetje të lirisë së popujve, sovranitetit e tërësisë territoriale dhe mbrojtjes së qytetarëve të pafajshëm.

Luftërat dhe konfliktet në disa rajone kanë shkaktuar kriza humanitare, duke i detyruar qytetarët dhe rininë të largohen nga vendet e tyre.

Shqipëria është shndërruar sot nga një vend emigrimi, në një kontribues të rëndësishëm në sistemin global të emigracionit, për përballimin dhe zgjidhjen e çështjeve të emigrantëve, refugjatëve dhe azillërkuesve, nëpërmjet marrëveshjeve për lehtësimin e barrës për vendet pritëse, siç është marrëveshja me Italinë, por edhe ofrimin e lehtësive për jetesën e njerëzve të zhvendosur, të pashpresë dhe të kërcënuar nga luftrat.

Përveç kontributit si një faktor sigurie e paqeje në rajon e më gjerë, Shqipëria po u përgjigjet këtyre sfidave edhe nëpërmjet politikave të zhvillimit të brendshëm.

Kundër degradimit të mjedisit, ndotjes dhe shkatërrimit të burimeve natyrore, si pasojë e manisë për t’i dhënë impulse afatshkurtëra rritjes ekonomike, dhe të cilat po përkeqësojnë cilësinë e jetës dhe dëmtojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

Shqipëria ka pasur vitet e fundit një rritje ekonomike të qendrueshme. Gjithashtu, ne në Kuvendin e Shqipërisë e kemi shndërruar respektimin e standarteve të zhvillimit të gjelbër, të qëndrueshëm, në një kërkesë dhe element të detyrueshëm të procesit legjislativ.

Papunësia dhe aksesi jo i duhur për arsim dhe zhvillim profesional krijojnë për rininë të tjera barriera me pasoja afatgjata, thellojnë varfërinë, kufizojnë mundësitë për punësim dhe dëmtojnë stabilitetin financiar dhe drejtësinë e paqen si themele për të ardhmen e rajoneve tona.

Prandaj ne në Shqipëri e kemi vendosur punësimin dhe arsimimin e formimin profesional të rinisë si një prioritet të politikave tona zhvillimire, ekonomike e sociale, duke mbështetur zhvillimin e sektorëve që jo vetëm mbështeten në burimet tona natyrore, por edhe krijojnë vende pune, fuqizojnë sistemin e mirëqenies dhe ulin nivelin e varfërisë.

Krijimi i vendeve të punës në sektorët e turizmit, teknologjisë së informacionit, mbështetja e start-up-eve për të rinjtë, si rezultat i politikave mbështetëse për zhvillimin e këtyre sektorëve, po nxisin edhe kthimin e emigrantëve shqiptarë, sidomos nga vendet fqinje pritëse të emigrantëve.

Ne në Kuvend, po përpiqemi të rrisim cilësinë dhe fuqinë e tregut të diplomave të universiteteve shqiupoatre, nëpërmjet ndërkombëatrizimti të tyre dhe bashkëpunimit me universitete presigjioze të huaja. Për të mundësuar që studentët shqiptarë të fitojnë dije të gjera e të thella bashkëkohore dhe të integrohen sa më lehtë, më shpejt dhe me produktivitet në treg.

Këto ditë Kuvendi po shqyrton ligjin e ri për sshknecën dhe një ndër objektivat e këtij ligji është zgjerimi i mundësive për përfshirjen në kërkimin shkencor të universiteteve dhe rinisë.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës që po zbatohet këto vitet e fundit, nxit atashimin, lehtëson zhvillimin profesional dhe rrit punësimin e të rinjve pranë insitucioneve të administratës shtetërore dhe institucioneve të tjera publike.

Vitet e fundit Shqipëria është bërë një vend model, madje edhe kampion, për rritjen e aksesit të grave dhe të rinjve në jetën politike e publike. Duke tërhequr të rinjtënë jetën politike dhe veprimtarinë legjislative, jo vetëm si oponentë, por edhe si parlamentarë e protagonistë, ne u mundësojmë atyre të fuqizojnë vetveten dhe të ndryshojnë shoqërinë.

Duke përfunduar, dëshiroj të falenderoj këtë nismë  e cila ka për qëllim të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet të rinjve dhe Ipeshkëve nga rajoni i Mesdheut.

E vlerësoj këtë nismë si kontribut për krijimin e një kulture solidare që promovon paqe dhe shpresë, duke nxitur bashkëpunimin midis të rinjve, duke promovuar përvojat pozitive dhe duke shfrytëzuar praktikat e modelet më të mira të bashkëpunimeve e kontributeve rinore për zhvillimin, mirëqenien dhe paqen.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!”, tha Spiropali.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: