Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, Tanja Fajon, Zëvendëskryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Europën të Sllovenisë dhe delegacionin që e shoqëronte, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim ishin të pranishme edhe Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit, znj. Mimi Kodheli, dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, znj. Jorida Tabaku.

Spiropali vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, të cilat vijojnë të zhvillohen mbi bazën e miqësisë, interesit të dyanshëm, partneritetit në NATO, përshpejtimit të rrugëtimit europian të Shqipërisë si edhe bashkëpunimit për avancimin e nismave rajonale. Shqipëria i është mirënjohëse Sllovenisë për mbështetjen e fuqishme të anëtarësimit në BE si edhe të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të vendosur drejt perspektivës europiane dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Në këtë çështje maxhoranca dhe opozita janë në një proces bashkëpunimi në struktuurat e Kuvendit, Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian dhe Komisionin për Çështjet Europiane. Mbështetja e Sllovenisë për zhvillimin dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë.  Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen nga Sllovenia të Kosovës dhe rritjes së rolit të saj në organizatat e marrëdhëniet ndërkombëtare.

Spiropali e falenderoi znj Fajon edhe për kontributin personal në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe të rajonit edhe në kontekstin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit Mimi Kodheli, dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, nënvizuan kontributin e komisoneve përkatëse në procesin e integrimit europian.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Europën të Sllovenisë, Tanja Fajon, falenderoi Kryetaren Spiropali për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nëvizoi se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të vijojnë të kenë mbështetjen e vendosur të Sllovenisë drejt anëtarësimit në BE. Ne duhet të shfrytëzojmë momentumin gjeostrategjik për integrimin e vendeve të rajonit dhe pranimi i vendeve si Shqipëria do ta bëjë BE më të madh dhe më të fortë. Parlamentet kanë një rol kyç në procesin e anëtarësimit dhe bashkëpunimi i të gjitha grupeve parlamentare është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb