Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u takua sot me presidenten e Bundestagut gjerman Bärbel Bas, gjatë qëndrimit në Riga, ku po merr pjesë në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë.
Zyra e shtypit e Kuvendit njofton për mediat se Spiropali dhe Bas vlerësuan si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ato theksuan se Shqipëria dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtësisht edhe në kuadrin e Procesit të Berlinit, si një mbështetës i fuqishëm i integrimit ekonomik të rajonit”, thuhet në njoftim.
Spiropali nga ana e saj ka vlerësuar mbështetjen e Gjermanisë, dhe rolin e të gjithë spektrit politik të Bundestagut, pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE si edhe ndihmën teknike për zhvillimin me sukses të negociatave.
Kryeparlamentarja ka vënë në dukje më tej “bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Bundestagut për reformën në drejtësi dhe reformat e tjera demokratizuese si edhe shkëmbimet e shpeshta të vizitave të të gjitha niveleve”. Spiropali dhe Bas ranë dakord që ky bashkëpunim rezultativ të vazhdojë.
Sipas Spiropalit, “bashkëpunimi dypalësh plotësohet nga bashkëpunimi i suksesshëm në NATO dhe organizatat e forumet ndërkombëtare”.
Gjithashtu, Spiropali ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Parlamentit të Polonisë Szymon Franciszek Hołownia. Kryeparlamentarja ka shprehur vullnetin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe politike, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e mbrojtjes e sigurisë, infrastrukturës, turizmit, si edhe intensifikimin e bashkëpunimit dhe diplomacisë parlamentare.
Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Polonisë dhe të vendeve të Vishegradit për integrimin europian të vendit tonë dhe bashkëpunimin e integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Spiropali dhe Hołownia diskutuan edhe për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën dhe mbrojtjen e lirisë dhe të paqes.
(BalkanWeb)