Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit 2024 “Femicidi: Problemi social përtej statistikave”. Në këtë aktivitet morën pjesë Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, Ambasadori i BE, z. Silvio Gonzato, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, përfaqësues të Shoqërisë Civile, etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali u shpreh se dukuria e femicidit po shndërrohet në një problem serioz për shoqëritë tona dhe për përballimin e saj kërkohet një front i gjerë shoqëror, politik, institucional e komunitar.

Znj. Spiropali nënvizoi gjithashtu se në Kuvend po zhvillojmë në vijimësi sondazhe dhe prodhojmë statistika për të vlerësuar dinamikën e procesit të barazisë gjinore në Kuvend dhe në shoqërinë shqiptare.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut vinte në një moment emancipimi të të gjithë rendit global e mbas një lufte të përbotshme që sërish i pa gratë si viktimat më të rënda të saj.
Ajo ishte një betejë e jashtëzakonshme që tentonte të krijonte shtratin human të bindjes se të gjithë njerëzit të gëzojnë të drejta e liri të barabarta, pavarësisht nga kombësia, gjinia, raca, besimi, prejardhja apo pasuria.
Dhe asgjë më shumë se garantimi i të drejtave të grave nuk do të ishte shkak i parë dhe themelor në suksesin e kësaj inisiative po të përbotshme.
Dukuria e femicidit po shndërrohet në një problem serioz për shoqëritë tona. Për përballimin e saj kërkohet një front i gjerë shoqëror, politik, institucional e komunitar.
Jam dakord me këndvështrimin tuaj në adresimin e këtij problemi se nuk duhet të nisemi thjesht nga shifrat dhe faktet, por problemet dhe difektet e shoqërisë që qëndrojnë pas tyre dhe i shkaktojnë ato. Prapa drurëve, të shohim pyllin, siç thotë një fjalë e mençur”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në hartimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në mbrojtje të të drejtave të grave nga dhuna, në përputhje me kërkesat që burojnë nga konventat ndërkombëtare, si Konventa për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave dhe Konventa e Stambollit.

“Nuk ka ligj e vullnet politik që e zhbën këtë, përpos ndërgjegjësimit të të gjithë shoqërisë, që vula e identitetit dhe ADN-së së një shoqërie njerëzore, gratë, bashkë me burrat, kanë nevojë për revolucion në mendësi. Unë besoj se ky revolucion dhe evolucion në Shqipëri po ndodh në sytë tanë.

Në Kuvendin e Shqipërisë kemi caktuar objektiv rritjen e pjesëmarrjes së grave minimalisht me 40 përqind. Në këtë legjislaturë kemi 50 gra të zgjedhura deputete, të cilat përbëjnë rreth 36 përqind të numrit të deputetëve të Kuvendit, nga 29 përqind që ishte në zgjedhjet e vitit 2017. 5 nga 8 komisionet e përhershme të Kuvendit drejtohen prej deputeteve gra. Në tryezën e qeverisë ka më shumë gra se burra.
Raporte të ngjashme janë në këshillat bashkiakë e në administratë. Partitë politike, kush më shumë e kush më pak, po tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe kjo është vetëm ajo që duket në shikim të parë; pjesëmarrja nē jetën publike nuk është absolutoisht gjithçka, por është një hap i duhur në drejtimin e duhur”, u shpreh më tej kryetarja e Kuvendi.

Spiropali tha se në Kuvend po zhvillojmë në vijimësi sondazhe dhe prodhojmë statistika për të vlerësuar dinamikën e procesit të barazisë gjinore në Kuvend dhe në shoqërinë shqiptare.

“Së shpejti do të përfshijmë auditin e barazisë gjinore në procesin legjislativ. Për këtë po bashkëpunojmë ngushtë me OSBE/ODIHR. Ne po punojmë që barazia gjinore të promovohet edhe nëpërmjet sistemit tonë arsimor dhe edukimit qytetar.
Ne e kuptojmë se barazia gjinore nuk është as qëllim në vetvete, as një objektiv që targeton gratë dhe vajzat, por një kontribut i domosdoshëm për gjithë shoqërinë, një element i zhvillimit të qëndrueshëm, i cili kërkon mobilizimin e burimeve publike për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë, dhe një faktor i demokratizimit dhe i kohezionit social.
Megjithatë, investimi politik, shoqëror dhe parlamentar për gratë dhe vajzat, për promovimin e rolit dhe pjesëmarrjes së tyre në jetën ekonomike, shoqërore, politike e parlamentare, nuk ka dhënë atë që prisnim. Gratë dhe vajzat në tregun e punës nuk kanë atë shkallë pjesëmarrjeje sa në jetën politike, ku vepron edhe forca ligjore detyruese e kuotave gjinore. Për më tepër, në mjedise shoqërore, familje e komunitete, gratë dhe vajzat ndeshen përditë me forma të ndryshme pabarazie e përjashtimi, të cilat nuk janë pa ndikim në dhunën e hapur dhe krimet ndaj tyre. Dhuna ndaj grave dhe vajzave me të gjitha format e saj mbetet, megjithatë, një plagë për shoqërinë, familjen, komunitetet.
Femicidi, si një nga format më ekstreme të dhunës, si një vrasje e grave dhe vajzave vetëm për shkak të gjinisë së tyre, përbën në realitet një krim kundër njerëzimit. Në fakt, femicidi është një rezultat i drejtëpërdrejtë i një kulture që e quan normale dhunën ndaj grave”, u shpreh Spiropali.

Sipas saj, ky është një problem kompleks, me rrënjë të thella në patriarkalizëm, në pabarazinë gjinore dhe në një mentalitet që i konsideron gratë si pronë, për të mos thënë në disa raste edhe si skllave.

“Nuk ka pushtet më të fortë se ai i traditës, që jo rrallë mund jetë shtypëse. Dhe tradita e ka përcaktuar si të drejtë natyrore që gruaja dhe shërbesa të jenë një binom që nuk ndahet. Që madje, nëse nuk bëhet siç do ai që shërbehet, nevojitet edhe një shuplakë, madje edhe plumbi a thika.
Përtej numrave mbi kwtw dukuri ka shumë më shumë se një tragjedi vetjake. Ka shumë më shumë sesa një dramë që përfshin individin që ikën pa kthim. Eshtë një nënë që mungon, një motër që nuk përgjigjet më në telefon, është një njri që është ndëshkuar mizorisht, një libër më pak i lexuar, një këngë që nuk dëgjohet më, fëmijë që nuk do të kenë më kurrë të njëjtin fat njerëzor, është një botë më pak. Sepse qoftë dhe një grua e vetme është një botë e tërë.
Pra, femicidi është vazhdim i dhunës me bazë gjinore në familje dhe kjo duhet të na bëjë të mendojmë, reflektojmë e veprojmë më shumë për atë që ndodh brenda mureve të familjes shqiptare. Marrja e jetës në mënyrë kriminale të këtyre nënave, bashkëshorteve, bijave, motrave na rikujton se kemi shumë për të bërë për të ndërtuar një familje më të shëndoshë, një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, më paqësore”, deklaroi më tej ajo.

Sipas saj, ky është një moment reflektimi edhe për ne në Kuvendin e Shqipërisë.
“Është e nevojshme që ne të rrisim kontrollin mbi zbatueshmërinë e legjislacionit për ndëshkueshmërinë e dhunuesve dhe të përmirësojmë legjislacionin ekzistues, aty ku është e nevojshme.
Propozimi i Avokatit të Popullit drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në prill të këtij viti, mbi parashikimin në Kodin Penal të Femicidit si vepër penale e veçantë, mendoj se duhet vlerësuar.
Për të ndryshuar mentalitetin dhe promovuar barazinë gjinore, ne të gjithë duhet të investojmë më shumë në politikat, programet dhe veprimet parandaluese, duke nisur nga programet shkollore dhe jetën e komuniteteve.
Të mbështesim gratë dhe vajzat, por edhe të gjithë qytetarët, të flasim hapur për këtë problem dhe të inkurajojmë të gjithë për të denoncuar çdo rast dhune.
Tashmë nuk ka më vend për turp shoqëror në qëndrimin ndaj dhunës në mjediset larg vëmendjes së shoqërisë.
Të vazhdojmë të mbështesim viktimat nëpërmjet programeve të specializuara për të ofruar strehim, këshillim psikologjik dhe ligjor për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë, shtimi i tyre por edhe integrimi dhe riintegrimi i tyre mbetet gjithnjë i rëndësishëm.”-u shpreh znj. Spiropali.

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, gjatë fjalës së saj nënvizoi se nuk duhet të mbyllim sytë kur gratë dhe vajzat kërkojnë ndihmë. “Kjo është kërkesë për të gjithë qytetarët. Zgjedhja është e jona. Duhet të jemi së bashku, të guxojmë në betejat e përbashkëta. Gruaja është një forcë e jashtëzakonshme e kësaj shoqërie.”-u shpreh znj. Ballanca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb