Të paktën katër spitale në Liban njoftuan se po pezullonin punën për shkak të sulmeve izraelite, ndërsa një organizatë shëndetësore e lidhur me Hezbollahun njoftoi se 11 ndihmës mjekësorë ishin vrarë në 24 orët e fundit.

Të premten vonë në mbrëmje, ushtria izraelite lëshoi një deklaratë duke pretenduar se Hezbollahu po përdorte automjete mjekësore për të transportuar luftëtarë dhe armë, duke paralajmëruar se do të godiste çdo automjet që dyshohej se përdorej për qëllime ushtarake.

Stafi i spitalit në Libanin jugor i tha BBC-së se objektet shëndetësore që trajtonin civilët e plagosur ishin goditur me sulme të drejtpërdrejta izraelite.

Mounes Kalakish, drejtor i spitalit qeveritar Marjayoun në Libanin jugor, i tha BBC-së se spitali nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të mbyllej pasi një sulm ajror goditi dy ambulanca në hyrje të spitalit të premten, duke vrarë shtatë mjekë ndihmës.

Drejtoresha e urgjencës së spitalit, Shoshana Mazraani, tha se ajo ishte ulur në pjesën e përparme të ndërtesës kur ndodhi sulmi. Ajo tha se dëgjoi klithmat e mjekëve që u goditën dhe vrapuan drejt autoambulancave të dëmtuara, por kolegët e kishin paralajmëruar të qëndronte mbrapa nga frika e një sulmi pasues.

Rita Suleiman, drejtoresha e infermierisë në spitalin Saint Therese, në skajin e periferisë jugore të Bejrutit, i tha BBC-së se spitali ku punon gjithashtu ishte ballafaquar me sulme dhe nga dëmtimet e rënda u detyrua të pezullonte të gjitha shërbimet.

Spitalet e tjera po vazhdojnë punën por me shërbime shumë të kufizuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: