“ Kemi lumturuar një familje, foshnjës i është rikthyer buzëqeshja dhe cilësia optimale e jetesës. Na bën të ndihemi krenarë dhe të gatshëm të vazhdojmë të shërbejmë me profesionalizëm pacientëve” janë shprehur ekipi i mjekëve që realizoi mjeshtërisht ndërhyrjen e vështirë e të suksesshme.

Falë bashkëpunimit të kirurgëve italianë nga Qendra e Labioplatoskizës në Piza të Italisë dhe mjekëve të Spitalit Amerikan, u krye një ndërhyrje e vështirë dhe shumë delikate e një foshnje 4 muajshe, i cili vuante nga një keqformim i lindur i pjesës së fytyrës (labiopalatoskizë bilaterale ose ndryshe buzë lepuri).

Qendra e Pizës, kryeson për një numër të madh rastesh në të gjithë Italinë, duke numëruar mbi 300 operacione të tilla në vit. Ekipi i përbashkët i kirurgëve plastikë arritën të rindërtojnë në perfeksion defektin e fëmijës së vogël, duke i rregulluar në të njëjtën ndërhyrje, buzën e sipërme dhe rindërtuar flegrat e hundës. Kjo mundësoi rekuperim shumë të shpejtë dhe ushqyerjen pa probleme që në ditën e parë postoperatore të foshnjës. Ndërhyrja u realizua nga ekipi i përbërë nga Dr. Gianluca Gatti dhe Dr. Alessandro Giacomina, nën organizimin e Dr. Alfred Aga dhe Dr. Gera Tagani, mjekëve anestezistë Dr. Blerim Arapi dhe Dr. Rinard Kertoci dhe stafit infermieror të Spitalit Amerikan.

Po ku qëndron veçantia?

Buza e lepurit, sipas mjekëve është një deformim ose defekt që krijohet gjatë zhvillimit embrional të javëve të para të shtatzënisë, i cili shfaqet në lindjen e fëmijës me çarje të buzës së sipërme, e cila mund të shtrihet në të gjithë qiellzën apo edhe në pjesën e hundës. Në jo pak raste, buza e lepurit është e lidhur me keqformime të tjera apo sindroma kongenitale. Prania e kësaj anomalie krijon problem në ushqyerjen me gji të foshnjës dhe në moshë më madhore, nëse nuk korrigjohet në kohë. Përveç anës estetike mund të kemi edhe probleme në të folur. Diagnoza e kësaj anomalie mund të bëhet që në ekografinë morfologjike nga një ekografist i specializuar.

Që sot foshnjet e lindura me këtë anomali kanë një mundësi më shumë për t’ju kthyer buzëqeshja, duke mos e konsideruar si fatkeqësi lindjen e fëmijës me anomali të tilla.

Kirurgët italianë do të jenë pranë Spitalit Amerikan, për të trajtuar sa herë paraqiten raste të tilla specifike, përfshirë këtu edhe kirurgjinë plastike dhe rindërtuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb