TIRANË- Është zhvilluar për herë të parë në mjekësinë shqiptare, Kongresi Multidisiplinar Mjekësor Ndërkombëtar me temë: “Edukimi në Vazhdim përmes Profesionistëve të Mjekësisë” organizuar nga Spitali Amerikan. Për dy ditë me radhë në këtë event janë diskutuar mbi 12 seksione klinike me fokuse të mirëpërcaktuara mbi arritjet më bashkëkohore në mjekësinë moderne.

Ky event është i pari i këtij dimensioni në specifikën e vet dhe ka një përfshirje mbarë botërore, duke sjellë në Tiranë figura të shquara dhe eminenca të shëndetësisë nga specialitete të ndryshme të mjekësisë botërore.

Janë mbi 45 lektorë të huaj dhe shqiptarë, që kanë marrë pjesë në këtë event të rëndësishëm, ndërmjet të cilëve përmendim: Prof. Dr.  Philip Caushaj (USA); Prof. Dr. Felice Giangasparo (ITALI); Proff. Dr. Ethem Beskonakli (TURQI); Prof. Dr. Ulrich Rosendahl (UK); Proff. Dr. Josef Besik (CEKI); Prof. Dr. Jurgen Ennker (GJERMANI); Prof. Dr. Neyir Eren (TURQI); Prof. Dr. Marco Jaccobbi (ITALI); Prof. Dr. Venanzio Valenzia (ITALI); Prof. Dr. Sadik Ersoz (TURQI); Prof. Dr. Ugo de Santis (ITALI); Prof. Dr. Claus Boheim (AUSTRI) e shumë të tjerë.

Gjithashtu në këtë event janë nderuar me Certifikata të Mirënjohjes figura të shquara të mjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë për arritje dhe kontribute ndër vite, përgatitjen e brezave të rinj të mjekëve, dedikimin  e jetës së tyre në shërbim të pacientëve dhe vlerave humane që mishëron mjeku profesionist.

Mbi 500 mjekë të specialiteteve të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë marrë pjesë duke kontribuuar në shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive mjekësore, inkurajimin e njëri-tjetrit në përpjekjen e përbashkët për të luftuar sëmundjen dhe për të shpëtuar jetë, duke e shndërruar këtë event në një Kongres mbarëshqiptar.

Spitali Amerikan operon suksesshëm prej nëntë vitesh duke pasur gjithmonë në rend të parë shëndetin e pacientëve anembanë trevave shqiptare. Spitali Amerikan është një investim Shqiptaro-Amerikan i fondit Bedminster Capital Management dhe synon ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore përmes personelit profesional të përzgjedhur vendor dhe ndërkombëtar, mbështetur fuqishëm nga teknologjia më moderne në fushën e mjekësisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb