TIRANE – Shërbim shëndetësor falas. Ky ishte një prej premtimeve të PS-së gjatë fushatës elektorale, por edhe nga më të debatuarit pas ardhjes së saj në pushtet. Pas një viti e gjysmë qeverisje, shpresat që ky premtim të përmbushet zbehen dita ditës, ndërkohë që edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka deklaruar se do të duhet shumë punë për ta arritur. Nga ana tjetër, spitalet vazhdojnë të vuajnë mungesën e ilaçeve apo ekzaminimeve, çka të bën të dyshosh për përmbushjen e këtij premtimi.
“Ka shumë mungesa, nga vitaminat deri tek aparatet e tensionit, që s’kemi, i marrim me vete nga shtëpia. Rregull ka pak më tepër, ka pak disiplinë aty tek salla e dializës më shumë, por prap ka probleme.”- shprehet një qytetar.
“Ilaçet gati krejt i kam blerë vetë. Me përjashtim të serumeve, ilaçet i blejmë jashtë.”- thotë një tjetër qytetar.
“Jemi hallexhinj. Na thonë analizat bëji tek privati se nuk bëhen këtu. Do detyrohem t’i bëj tek privati, por ku ti gjejmë.”- shprehet një pacient.
Si të mos mjaftojë mungesa e ilaçeve, në ditët më të ftohta të vitit , spitali i Traumës nuk mundet të mundësojë ngrohjen gjatë 24 orëve nëpër dhomat e pacientëve. Përballë kësaj situate, familjarët kanë gjetur zgjidhje me ngrohës personal, të sjellë nga shtëpitë.
Drejtoria spitalore i tha “News24” se ngrohja 24-orëshe mundësohet vetëm për sallat e operacionit dhe reanimacionin, ndërsa për dhomat e pacientëve nuk ka fonde të mjaftueshme për ta garantuar të plotë këtë shërbim.
Ndërkaq, një tjetër problem i shëndetësisë janë edhe mbetjet spitalore. Sipas raportit tregues të vlerësimit mbi menaxhimin e mbetjeve spitalore, nga 78 subjekte prodhuese të mbetjeve spitalore, 64% e tyre zgjedhin mënyra jashtë detyrimeve ligjore për administrimin, sikundër janë hedhja në koshat publik të mbeturinave, djegia apo groposja. Në kushtet kur spitalet kanë ende mungesa ilaçesh, shumë qendra shëndetësore kanë mungesë uji, energjie e laboratorësh, ndërsa spitali i Traumës nuk arrin dot të garantojë ngrohjen totale të ambienteve gjatë dimrit, pyetja që ngrihet është: Sa larg është shëndetësia falas?


MJEKET: JA GJENDJA NË SPITALE
Në emisionin e sotëm “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko ishin të ftuar katër mjekët: Petrit Vargu, Arianit Kokobobo, Tritan Kalo dhe Lida Shosha, si dhe specialisti i shëndetësisë Gazmend Koduzi. Mjekët folën për gjendjen e spitaleve, duke theksuar si mjaft problematike mungesën e ilaçeve, të hapësirave dhe paaftësinë e personelit.
“Sot në neurologji konsultat bëhen vetëm nga një mjek. Ne nuk sillemi dot as si spital rajonal. Urgjenca nuk ka shtretër, problem është organizimi. Ne nuk kemi kateter, qeveria thotë për receta elektronike.”- deklaroi mjeku Petrit Vargu.
“Shqipëria është i vetmi vend që dhe sot punon me kobalt. Na vjen turp të themi që punojmë ende me kobalt. Udhëheqësi i Onkologjikut është i paaftë, falsifikoi notat e fakultetit. Në repartin e Onkologjisë nuk ka ilaç, ka mjekë të paaftë. Skaneri nuk ka kontrast, pacientët e blejnë vetë”- deklaroi Arianit Kokobobo.
“Shërbimi infektiv vuan nga mungesa e hapësirave. Infektivi ka 3 vite pa kite për analiza etiologjike. Mungojnë ilaçet, nuk zbatojmë dot protokollet mjekësore. Personeli në disa raste gjendet i kërcënuar.”- u shpreh mjeku Tritan Kalo.
“Në spitalin e traumës operojmë në temperatura të ulëta. Faji i politikës që në 24 vite nuk u kujdes për shëndetësinë. Ne jemi mjekë nuk mund t’i sigurojmë ilaçet. Vjet ishim gati të mbyllnin spitalin. Po thellohet hendeku mjekë-qeveri”- deklaroi Lida Shosha, mjeke në spitalin e Traumës.

Duke iu referuar testimit që pritet t’i nënshtrohen mjekët dhe infermierët, mjekët e ftuar në studio thanë se ky testim është antiligjor dhe denigrues.

“Cili është ai që do më testojë pas 24 vitesh punë? Testi është antiligjor, denigrues për mjekët. Të funksionojnë bordet shkencore të spitaleve. Qeveria të reflektojë, të mos thellojë hendekun.”- u shpreh mjekja Shosha.

“Kush i teston mjekët e huaj që vijnë në Shqipëri. Ministria të mos merret me ne, por me hallkat që nuk funksionojnë. Kush i ka testuar stafet politike që do na testojnë ne? Unë nuk do t’i nënshtrohem testimit, do të dal nga salla?”- deklaroi mjeku Tritan Kalo.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb