Fundjava që sapo lamë pas regjistroi dy ngjarje të paprecedenta, duke sjellë pikëpyetje të mëdha nëse në Shqipëri kanë ardhur spiunë apo jo. Brenda një harku kohor prej 24 orësh 7 shtetas të huaj, 2 rusë, 1 ukrainas dhe 4 çekë u ndaluan nga policia. Rasti i parë u regjistrua në Gramsh, ku pasditen e së shtunës, ku 3 të huaj, dy rusë dhe një ukrainas, tentuan të futeshin në uzinën e armëve, ndërsa një prej tyre plagosi me spray paralizues dy ushtarë.

Ashtu siç është publikuar edhe përgjatë këtyre ditëve, në pranga ranë rusët Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe dhe Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov. Ishte pikërisht 24-vjeçari Mikhail Zorin ai që sulmoi ushtarët Aldo Bicin dhe Ardian Cakën me një spray neuroparalizues, teksa tentonte që të largohej nga ambientet e uzinës ku ishte futur fshehurazi. Në çantën e të riut u gjetën çelësa anglezë, kaçavida dhe një dron si dhe dokumentet identifikuese të të rinjve, që pretenduan se ishin turistë.

Mësohet se të rinjtë që e deklarojnë veten se janë blogerë kishin ardhur në kohë të ndryshme në Shqipëri, ku dy djemtë kishin ardhur para 3 javësh, (një nga aeroporti Nënë Tereza, tjetri nga Porti i Durrësit me makinën ‘Chevrolet’), ndërsa vajza para 4 ditësh. Shërbimi i Informativ i Shtetit dhe prokuroria kanë dyshime, ndërsa po hetojnë se bëhet fjalë për një grup që janë pjesë e një celule spiunazhi në Rusi, ndërsa atyre iu sekuestrua dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për spiunazh.

Ndërkohë, vetëm pak orë nga ngjarja në Gramsh, një tjetër precedent i ri u regjistrua në uzinën e Poliçanit, ku u arrestuan 4 çekë, të cilët u lanë të lirë ditën e sotme. Siç raportoi edhe dje policia, dy çekë, shtetasit me inicialet TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, pasi kishin thyer derën e njërit prej tuneleve që të çonte në uzinën e Poliçanit, kishin qëndruar aty për disa orë, ndërsa nuk dihen arsyet se pse ishin futur në këtë zonë të ndaluar. Ndërkohë, policia arrestoi dje jashtë tunelit dy bashkëjetueset e tyre, konkretisht shtetaset me inicialet P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, të cilat ishin duke bërë foto me aparat fotografik.

Gjatë ndalimit të tyre nga policia, 4 shtetasit çekë pohuan se ishin turistë dhe se kishin humbur rrugën. “Jemi turistë, po bënim foto, humbën rrugën dhe u futëm brenda në tuneli. Nuk kemi qëllim të keq”, mësohet të jenë shprehur çekët. Prokuroria do të vijojë hetimet në gjendje të lirë për këta shtetas.

Këto dy precedentë, kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinionin publik, ndërsa janë bërë shkak edhe për ‘përplasje’ në distancë me akuza dhe kundërakuza mes opozitës dhe maxhorancës. Aktualisht prokuroritë përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e dy rasteve, nëse bëhet fjalë për 7 turistë të thjeshtë në kërkim të vendeve të veçanta, apo për grupe spiunazhi.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb