Policia izraelite dhe agjencia e inteligjencës vendase Shin Bet thonë se kanë arrestuar një rrjet qytetarësh izraelitë që spiunonin për Iranin, të cilët dyshohet se jepnin informacione mbi bazat ushtarake dhe kryenin vëzhgime të individëve.

Hetuesit pretenduan se rrjeti kishte qenë aktiv për rreth dy vjet. Sipas raportimeve në shtypin izraelit, të dyshuarit akuzohen për fotografimin dhe mbledhjen e informacionit për bazat dhe objektet izraelite, duke përfshirë shtabin e mbrojtjes në Tel Aviv, të njohur si Kirya, dhe bazat ajrore Nevatim dhe Ramat David.

Baza Nevatim u vu në shënjestër nga dy sulmet raketore të Iranit këtë vit , dhe Ramat David është shënjestruar nga Hezbollahu.

“Ky është një nga rastet më serioze të sigurisë të hetuara në vitet e fundit”, thanë prokurorët e shtetit. Policia tha se grupi kishte kryer 600 misione gjatë dy viteve.

Lajmet për rrjetin e dyshuar, i cili përfshin dy të mitur, pasojnë arrestimin në shtator të një biznesmeni izraelit të akuzuar për spiunazh për Iranin. Sipas akuzave kundër tij ai kishte udhëtuar dy herë në Iran për të diskutuar mundësinë e vrasjes së kryeministrit, Benjamin Netanyahu, ministrit të mbrojtjes, Yoav Gallant, ose kreut të agjencisë së inteligjencës vendase Shin Bet, Ronen Bar.

Raportet përshkruanin individët e arrestuar si emigrantë hebrenj nga Azerbajxhani që jetonin në zonën e Haifa-s, disa të lidhur, të cilët u arrestuan pak më shumë se një muaj më parë dhe pritet të akuzohen për ndihmën e një armiku në kohë lufte.

Sipas një deklarate të lëshuar të hënën, shtatë shtetasit izraelitë u arrestuan për mbledhjen e informacionit të ndjeshëm mbi bazat e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe infrastrukturën energjetike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb