Në Shqipëri konsumojnë duhan rregullisht 780 mijë persona, një fakt i studiuar dhe i bërë publik nga ekspertë të duhanit. Por ajo që nuk dihet është se në 12.7% të rasteve duhanpirësit preken nga një sëmundje e rëndë e mushkërive e quajtur SPOK, e cila i mori jetën edhe shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli.

Në një intervistë për “BalkanWeb” doktor profesor Arjan Mezini, mjek pneumolog, argumenton se 30% e të shtruarve në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi” paraqiten çdo vit në spital me SPOK në stad të agravuar.

Pavarësisht diagnozës së provuar dhe të parikthyeshme që vetëm përkeqësohet me rritjen e moshës, të sëmurët kronik me SPOK duhet të paraqiten në spitalin e mushkërive disa herë në vit, një sorollatje e pakuptimtë për të marrë një firmë specialisti që i mundëson marrjen e medikamenteve me rimbursim.

Ajo që konsiderohet e gabuar për mjekët e sanatoriumit janë protokollet e vjetruara me të cilat operon Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor që datojnë që prej vitit 2007.
Më rëndë situata paraqitet për të sëmurët në stad të agravuar që i falen oksigjenimit artificial për të vijuar jetën pasi mushkëritë kanë pushur së funksionuari.

Sipas mjekut shumica e tyre përjetojnë komplikacione të rënda nga mosoksigjenimi dhe niveli i lartë i dioksidit të karbonit në mushkri.
Kjo pasi shumë prej tyre janë të varfër dhe e kanë të pamundur të blejnë aparatin e oksigjenimit dhe shpëlarjes së dioksidit të karbonit që kushton afër 1 mijë euro. Mos rimbursimin e aparaturës jetëshpëtuese qeveria e paguan disa fish më shtrenjtë në spital ku detyrohet ta reanimojë të sëmurin e rënduar nga mosksigjenimi, shërbim që në Gjermani kushton 8500 euro në vit.

Por ndryshe nga Gjermania që ka si politikë mbajtjen e pacientit larg spitalit duke ia mundësuar shërbimet bazë në shtëpi çka ul ndjeshëm kostot shëndetësore dhe financiare, në vendin tonë politikat shëndetësore po i përplasin gjithnjë e më shumë pacientët në dyert e spitaleve terciare që po përjetojnë një mbingarkesë pune që dëmton seriozisht cilësinë e shërbimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb