“Sporti korçar ndër vite”, ishte një veprimtari e organizuar nga Prefekti i Korçës në bashkëpunim me Universitetin “Fan Noli”, për të evokuar figurat e njohura të sportit korçar, ata që jetën ia kushtuan sportit dhe i dhanë emër qytetit tonë, një pjesë e të cilëve ishin të pranishëm, për të marrë mirënjohjen tonë për gjithçka kanë bërë për gjallërimin e jetës sportive, për emocionet që na kanë përcjellë dhe trofetë që i kanë dhuruar Korçës.
Prefekti i Korçës tha se ishte gatishmëria e Rektorit të Universitetit Dhimitri Bello dhe zëvendësrektorit Artur Adili që bëri të mundur jetësimin e kësaj ideje.
“Si në shumë fusha të tjera, edhe në sport, Korça ka qenë avangardë për kontributin e saj. Qytetarët korçarë krenohen me të drejtë me emra të mëdhenj si Tamara Nikolla, Pavlina Evro, Dhorke Koço, Todo Vaso, Aleko Pilika, Koço e Vali Dinella, Jani Kaçi, Dhimitër Xhambazi, Lida Shehu e Zamira Koleci dhe dhjetëra të tjerëve të memorizuar në kujtesën kolektive, që me cilesitë e tyre sportive si dhe rezultatet e larta, kanë ngritur peshë zemrat e sportdashësve korçarë dhe kane sjellë festa të paharrueshme. Vlerësim e respekt për trajnerë e mësues të mrekullueshem si Pirro Kasati, Pandi Gëllçi, Pandi Balli, Tomi Stefanllari, Edmond Dushku e shumë të tjere qe me pasion, perkushtim e profesionalizem pergatiten e udhehoqen plejada sportistësh dhe shënuan maja te sportit shqiptar”, u shpreh prefekti Jole në fjalën e tij, në takimin e organizuar në mjediset e universitetit “Fan Noli”.
Mes të pranishmëve ishin edhe ish-sportistë për të marrë mirënjohjen për gjithçka kanë bërë për gjallërimin e jetës sportive, për emocionet që kanë përcjellë dhe trofetë që i kanë dhuruar Korçës.
Në Universitet u hap ekspozita fotografike me foto të sportistëve dhe veprimtarive sportive ndër vite, që veç vlerave historike dhe emocionale, shërben edhe si frymëzim për brezin e ri të angazhuar në sporte të ndryshme, për përfaqësime dinjitoze e rezultate të larta.
Historiani i mirënjohur Niko Kotherja e pasuroi takimin me informacion arkivor, foto dhe dëshmi të jetës sportive në Korçën e viteve të paraçlirimit.