Pasditja e sotme ka qenë e dhimbshme për futbollin shqiptar. Një nga yjet e plejadës së artë të futbollit të Tiranës, Ali Mema, është shuar pak orë më parë pas betejës me një sëmundje që e mundonte prej kohësh. Mema, ishte një nga shtyllat e 17 Nëntorit të viteve ’60-’70 dhe e Kombëtares së Shqipërisë.

Pinjoll i familjes më të famshme bardheblu, Ali Mema, së bashku me Haxhiun dhe Osmanin, kontribuan në rritjen e Tiranës, me klubin bardheblu që në epokën e tyre arrin të thyejë për herë të parë hegjemoninë e dy klubeve të tjera kryeqytetase, Partizanin e Dinamon, duke u shndërruar në idhuj për tifozërinë e tyre. Ai ka veshur edhe fanelat e Partizanit dhe të Vllaznisë. Ali Mema ka një kontribut të madh edhe me ekipin përfaqëuses, ku ka zhvilluar 14 takime, ndërsa trashëgiminë e tij e ndoqën më pas dhe nipi i tij, Sulejman Mema dhe i biri, Ardian Mema, sot trajner i Tiranës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ali Mema lindi më 1 shkurt të vitit 1943, ndërsa talentin e tij e zbuloi mjeshtri Xhavit Demneri, që e aktivizoi me moshat e klubit bardheblu, ndërsa në vitin 1960, vetëm 17 vjeç, do të kalonte me ekipin e parë të 17 Nëntorit, ku do të luante deri në vitin 1966, për të kaluar më pas për dy sezone te Vllaznia e Shkodrës. Në vitin 1968 do të rikthehet tek ekipi i tij i zemrës, ndërsa në sezonin 1970-1971 do të përfaqësojë Partizanin në Kupën Ballkanike. Lojtar polivalent, pavarësisht se vetëm 172 centimetra, do të ishte shumë i fuqishëm në luftën në ajër, ndërsa luante mjaft mirë me të dyja këmbët.

Tifozët e Tiranës e adhuronin, kundërshtarët e respektonin. Kurrë nervoz e banal, gjithnjë i edukuar në fushë e jashtë, Mema do të varte këpucët në gozhdë në vitin 1972, vetëm 29 vjeç, do të veshë tutat e trajnerit dhe deri në vitin 1987 do të jetë trajner i dytë i 17 Nëntorit. “Mjeshtri i Madh” dhe “Legjenda e Futbollit Shqiptar” nga sot nuk do të jetë më mes nesh, por vepra e tij në fushën e lojës e ka gdhendur emrin e Ali Memës në përjetësi.

Homazhet në nderim të Ali Memës do të zhvillohen nesë nga ora 10:00-12:00 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb