TIRANE-Çështja ‘Shullazi’ ka shkaktuar furtunë dhe debate në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kështu pasi kryeprokurorja Arta Marku urdhëroi dje hetimin disiplinor për 10 prokurorë ‘rebelë’ që nuk pranuan që të ishin pjesë e shortit për çështjen ‘Shullaz’, tek Krimet e Rënda ka pasur një tjetër ‘kryengritje’.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se Marku kishte urdhëruar kreun e Drejtorisë së ndihmës Për Subjektet e Posaçme, Mbrojtes së dëshmitarëve, inspektimit dhe burimeve njerëzore në Prokurori Sokol Stojani që të hetonte 10 kolegët e tij, por ky i fundit nuk ka pranuar. Pavarësisht se Stojani është caktuar në këtë detyrë nga vetë Marku, ai ka pasur një sërë pakënaqësish madje edhe debate me kryeprokuroren.
“Dorëhiqem nëse më detyroni, pasi është në kundërshtim me ligjin”, mësohet t’i ketë thënë Stojani kryeprokurores. Ndaj kjo e fundit e ka shkarkuar nga detyra Sokol Stojanin. Kujtojmë se Arta Marku nisi dje një hetim disiplinor për 10 prokurorë, pasi ata nuk pranuan që të ishin pjesë e shortit për këtë çështje.
Prokurorët ‘rebelë’ janë Olsian Çela, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela dhe Edvin Kondili. Po ashtu do hetohen edhe Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj si dhe Besim Hajdarmataj dhe Përplarim Kulluri. Këta prokurorë refuzuan hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, të cilët ndodhen pas hekurave për një sërë akuzash.
Dosja e Emiliano Shullazit vijon të jetë një temë e nxehtë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërkohë që sot u përcaktuan emrat e prokurorëve, dy prej të cilëve janë Donika Prela dhe Gentian Osmani.
Pretencën për çështjen “Shullazi” do të jepet më 25 shtator.
(ed.me/BalkanWeb)