Presidenti i Sri-Lankës, Maithripala Sirisena, ka nënshkruar urdhrin për ekzekutimin e katër trafikantëve të drogës, duke i dhënë fund moratoriumit 43-vjeçar për pezullimin e dënimit me vdekje.
Sirisena tha të mërkurën se ka nënshkruar urdhrin për zbatimin e dënimit me vdekje për këta persona. Ai njoftoi se në këtë dokument janë edhe datat e ekzekutimeve dhe se urdhri u është dorëzuar autoriteteve të burgjeve.
Ai tha se përdorimi i drogës është bërë rrezik serioz në tërë vendin dhe se deri tani janë rreth 300 mijë persona të varur nga substancat narkotike. Sipas presidentit të këtij shteti, 60 për qind e 24 mijë personave të burgosur janë dënuar pikërisht për shkak të drogës.
Trafikimi i drogës cilësohet vepër e rëndë penale në Sri-Lankë. Autoritetet besojnë se vendi i tyre përdoret më tepër si transit për trafikimin e substancave narkotike. Vetëm në vitin 2017, mbi 81 mijë persona janë arrestuar në Sri-Lankë për shkak të drogës, shkruan “The Guardian”.