PARIS– Sa mbaroi ndeshja Francë-Gjermani? Nëse do të ketë një ndeshje në historinë e futbollit, rezultati i së cilës nuk do të kujtohet asnjëherë nga 80 000 spektatorët që e panë, ajo do të jetë miqësorja e mbrëmshme në ”Stade de France”.

Ndeshja e golave, por mbi të gjitha ndeshja e vdekjeve dhe e panikut.

Duhen edhe 292 ditë nga fillimi i Euro 2016.

”Shpërthimi i minutës së 16-të në sfidën mes kampionëve të botës dhe mikpritësve të evropianit të ardhshëm u duk fillimisht si ato që ndodhin shpesh në stadiumet tona”, tha Oscar Damiani, ish-lojtar

Por, në ”Stade de France” nuk ndodhi ajo që ndodh shpesh në stadiume, por një sulm terrorist.

Kështu, stadiumi më i madh i Francës, impianti shumëfunksional nga futbolli te regbia, por edhe një skenë gjigante koncertesh, aty ku Zidane i dha Francës botërorin e ’98-ës, u transformua edhe një herë: jo teatër ëndrrash, por skenë paniku, ku mijëra spektatorë u futën në fushë pas ndeshjes, të tmerruar nga terrori dhe pa ditur se çfarë të bënin.

”Shpërthimet ishin dy. Loja nuk ndaloi, por vëmendja e publikut po, pasi në rrugët e ‘Ville Lumiere’ po zhvillohej një luftë e vërtetë, shkëmbime zjarri, të vdekur, pengje dhe rrugë të përgjakura”, thonë dy dëshmitarë.

“Ndeshja u luajt, pasi nuk dihej se çfarë po ndodhte jashtë”, thotë sërish Damiani, pa shpjeguar dot zgjedhjen e arbitrit spanjoll Lahoz për të vazhduar ndeshjen.

Në fakt, autoritetet, mes paqartësisë dhe frikës për panikun mes tifozëve, kishin zgjedhur që ndeshja të luhej.

Por, presidenti Hollande, i pranishëm në stadium, me fytyrë të qeshur përballë fotografëve para fërshëllimës për fillimin e ndeshjes, u evakua nga forcat e sigurisë, ndërkohë që daljet e stadiumit ishin përforcuar për të parandaluar sulmet nga jashtë.

Golat u shënuan nga Giroud, në fund të pjesës së parë, dhe nga Gignac, katër minuta para mbarimit të ndeshjes.

Lojtarët i festuan golat pasi nuk dinin asgjë për atë që po ndodhte jashtë stadiumit. Vetëm pas takimit presidenti i federatës franceze i njoftoi për ndeshjen sureale që kishin zhvilluar, ku ata kishin qenë protagonistë të pavullnetshëm.

Po ashtu si mijëra tifozë në fushën e ”Stade de France”, nën kthetrat e panikut, në një ndeshje që do të jetë e ndalur përgjithmonë në kujtesën e tyre.

(d.b/ANSA/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb