IRAN

Tifozja e futbollit iranian Sahar Khodayari, që i kishte vënë flakën vetes disa ditë më parë përpara një gjykate të Teheranit, për të protestuar kundër ndalimit të femrave për të hyrë në stadium, vdiq natën e kaluar në një spital në kryeqytetin iranian si pasojë e plagëve të marra.


29-vjeçarja u ndalua në 12 mars në stadiumin Azadi të Teheranit, pasi kishte hyrë në stadium e veshur si mashkull për të asistuar në ndeshjen e skuadrës së saj Estghlal kundër Al Ain, një klub i Emirateve të Bashkuara Arabe.


Khodayari, që kishte bërë edhe një selfie në impiant, u dënua me disa ditë në burgun e femrave të Gharchak Varamin, në jug të Teheranit, një burg me kushte shumë të vështira jetese. Teksa ajo i vuri flakën vetes rreth 90% e trupit të saj ishte djegur, duke sjellë në këtë mënyrë pamundësinë për ta mbajtur në jetë.


Rasti i saj ka ngjallur shumë polemika. Në mbështetje të Khodayari është shprehur në ditët e kaluara edhe deputetja Parvaneh Salahshouri, duke lëshuar një apel sensibilizues kundër diskriminimit të femrave në Republikën islamike.

(da.xha/BalkanWeb)