KAVAJË

Pas vënies në dispozicion të stadiumit të qytetit të Durrësit, “Niko Dovana” për personat e prekur nga tërmeti, autoritetet në Kavajë kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të prekur nga fatkeqësia natyrore ambientet e stadiumit “Besa” në Kavajë.

Ministri i Turizmit Blendi Klosi në fjalën e tij deklaroi se stadiumi i Kavajës është në dispozicion të çdo qytetari që ndihet në rrezik dhe ka nevojë për strehim.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë Kavajë Redjan Krali tha se bashkia është kujdesur për qytetarët e prekur nga tërmeti, duke i strehuar ata pranë stadiumit “Besa”. Krali tha se iu bën thirrje biznesmenëve të qytetit, por edhe familjarëve që të ndihmojnë sa të munden për këtë rast fatkeqësie natyrore, me qëllim që të kalojë me sa më pak probleme.

Blendi Klosi: Jam në Kavajë, me autoritetet përkatëse dhe me policë të Komisariatit të Kavajës. Bashkia e Kavajës ka realizuar një qendër publike, me qëllim që familjet në nevojë të mund të jenë më të sigurt. Bashkë me kryetarin e Kavajës, kemi organizuar një takim me strukturat për shërbime ndaj familjeve kavajase, e po ashtu për të ndërhyrë në mënyrë urgjente në banesat e dëmtuara.

Ju bëj thirrje që të gjithë ata persona në Kavajë, që kanë pasur probleme me strehimin, mund të vijnë këtu pranë stadiumit të Kavajës. Bashkia ka organizuar një pritje për banorët. Fatkeqësia ka ndodhur, disa shtëpi janë shkatërruar dhe duhet pak kohë që të përmirësohen kushtet. Ne jemi këtu edhe për të qenë afër me personat, me qëllim që të gjendemi pranë tyre.

Redjan Krali: Siç e shikoni këtu në stadiumin Besa kemi strehuar disa familje. Falënderoj edhe Komisariatin e Kavajës për sigurinë. Gjej rastin që t’iu them biznesmenëve që të mund të ndihmojnë në këtë rast të vështirë. Ne kemi pasur ekip profesionistë dhe po angazhohemi për strehim të njerëzve.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb