Nga: JETON SELIMI*
Partizani kërkon të mbështetet te treshja tifozë-temperatura-bar natyral për të arritur përmbysjen e madhe ndaj norvegjezëve të Strymsgodsetit. Nëse të parët, të udhëhequr nga Ultras Guerrils do të kërkojnë të hutojnë kundërshtarin, temperaturat e larta të këtyre ditëve të fundit mund të sjellin rënien në rendiment të skandinavëve që janë mësuar me mot shumë më të freskët, ndërsa e fundit, por jo më pak e rëndësishmja është fusha. Styrmsgodsetit i luan ndeshjet në stadium me bar artificial, ndërsa në këtë kampionat nuk ka fituar kurrë në një tapet natyral. Ndaj, duke ditur këtë, Partizani ka mundur të marrë një leje të posaçme për t’u stërvitur në stadiumin “Qemal Stafa”, për të rritur sa më shumë efikasitetin e skuadrës. Tifozët kanë filluar që prej të hënës të marrin biletat, ku çmimet 400 lekë për tribunën karshi (D1, D2 dhe D3) si dhe 100 lekë për sektorët pas porte (C dhe E), favorizojnë afrimin e tyre, ndërsa prej ditësh ultrasit e kuq kanë çelur dhe eventin në rrjetin social “Facebook”, ku interesimi është shumë i lartë, i krahasuar vetëm me ndeshjet derbi kundër Tiranë. Megjithatë, situata në shtëpinë e kuqe nuk është edhe aq e qetë. Së fundmi ka shpërthyer çështja “Mazrekaj”, me mesfushorin që i ka zgjatur pushimet një ditë më shumë se të tjetër, ndërsa është raportuar se ka luajtur në një turne mini-futbolli në Kosovë, çka ka irrituar pa fund trajnerin Starova, që me Mazrekajn dhe Nexhipin ka një çështje më vete, duke qenë se nuk i aktivizoi në Norvegji, ndërsa kapitenin e sezonit të shkuar e ka zhgraduar duke e lënë madje në stërvitje me pjesën e rezervave të skuadrës. Lëvizje e cila nuk është pritur aspak mirë nga tifozëria e Partizanit, që ka një debulesë të theksuar ndaj Nexhipit, autor i golave me peshë, sidomos ndaj Tiranës në takimet derbi, ku në 6 ndeshje ka shënuar 3 herë, prej të cilëve golin më të shpejtë në takimet derbi, kur realizoi më sekondën e 43-të në derbin e 8 dhjetorit të shkuar, të fituar 2-0 nga të kuqtë.
Mustafa
Laçi është nisur të martën në mëngjes drejt Bakut, për të luajtur atje ndeshjen e kthimit të turit të parë kualifikues të Ligës së Europës. Si të mos mjaftonte dëmtimi i pikës referuese të formacionit bardhezi, Marko Cetkoviç, trajneri Armando Cungu duhet të bëjë edhe pa mesfushorin Argjend Mustafa. Futbollisti i lindur në Vushtrri nuk ia ka dalë dot të udhëtojë me ekipin, sepse ka qenë e pamundur pajisja me vizë hyrëse në Azerbajxhan. Pavarësisht ndërhyrjes së klubit e të FSHF-së pranë UEFA-s, asgjë nuk është zgjidhur dot, sepse shteti azer nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet i pavarur. Duke qenë se Mustafa ka pasaportë kosovare, nuk i është lejuar pajisja me vizë. Një tjetër “gropë” që duhet mbushur nga trajneri Cungu në formacionin e të tijve për ndeshjen e 9 korrikut, që do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Shafa” të Bakusë.
Gjyqtarët
UEFA ka zyrtarizuar edhe gjyqtarët e të tria ndeshjeve, ku luajnë skuadrat shqiptare. Kështu, Partizanin do ta gjykojë një treshe gjermane, e kryesuar nga Tobias Stieler dhe i ndihmuar nga asistentët Holger Henshel e Patrik Itrish. Tobias Stieler ka lindur më 2 korrik 1981 dhe është nga Obertshausen. Ai jeton në Hamburg dhe punon si avokat. Prej vitit 2001 gjykon edhe në Bundesligë, ndërsa karrierën e ka nisur e vijuar për disa vite në kategoritë më të ulëta të futbollit gjerman. Ai tashmë ka edhe stemën e FIFA-s. Kukësi do të jetë mysafir i Torpedo Zhodino. Me start orën 18:00 do të luhet në Bjellorusi ndeshja e kthimit, e cila do të gjykohet nga një treshe moldave, e kryesuar nga Sergiu Derenov, që ka stemën e FIFA-s. Ndihmës të tij do të jenë Vitalli Gorbatov dhe Oleg Molceanov. Një treshe nga Kazakistani do të bëjë drejtësi në ndeshjen e kthimit mes Inter Bakut dhe Laçit. Kryesor do të jetë Aleksandr Alijev, me stemën e FIFA-s, ndërsa në ndihmë do të ketë Sergei Vasjutin dhe Samat Tergeusizov. Ndeshja në fjalë luhet më 9 korrik, në orën 18:00.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: