Besa është larg Superiores që nga sezoni 2013-2014 dhe prej asaj periudhe skuadra kavajase vetëm në dy edicione ka arritur të “puthet” me vendin e parë të renditjes në Kategorinë e Parë. Saktësisht më 12 shtator 2015, kur Besa kthehej nga Mamurrasi me fitoren 1-0 (Darlien Bajaziti 18’) dhe në javën e 2-të në Kavajë fitonte 1-0 me Kamzën (Alked Çelhaka 88’) dhe merrte pikët e plota dhe kreun pas dy javëve të para.
Ndërsa në sezonin 2018-19 Besa vendin e parë e mbajti në fazën e mbajti 5 herë në javët 4 dhe 7-10.
MOMENTI – Starti i mbarë me 6 pikë në dy javët e para sjell optimizëm. 2-0 në Tropojë ndaj Valbonës debutuese dhe 1-0 në Rrogozhinë ndaj Korabit. Kavajasit janë riorganizuar tërësisht për këtë sezon dhe janë në listën e pretendetëve kryesorë për tu rikthyer në Superiore. Momenti i mirë i kavajasve, nga sa përshkruhet prej dashamirësve të futbollit, nuk lidhet vetëm me pikët e plota, por edhe me lojën shumë të mirë. Në Tropojë, veç dy golave pati edhe dy shtylla e dy gola të anuluar. Ndaj Korabit një seri rastesh për shënim, ku portieri Qyrani u shndërrua në “hero”. Një shtyllë e një gol i anuluar, për të ardhur te “vula e europolit” nga mjeshtri Mentor Mazrekaj, i cili shënoi drejtpërdrejt nga goditja e këndit, gol që sigurisht shihet rrallë në stadiumet tona.
BUXHETI- Bashkia e Kavajës dhe personalisht kryetari i saj Fisnik Qosja, ka garantuar një mbështetje të fuqishme për këtë sezon. Krahas mbështetjes financiare për skuadrën, parashikohet që brenda këtij muaji të nisë edhe puna për rikonstruksionin e stadiumit në Kavajë. Po punohet në dy fronte, si me fuqizimin e ekipit kavajas dhe infrastrukturë, në mënyrë që të realizohet objektivi për ta rikthyer Besën në Superiore. Synohet që starti i sezonit 2025-2026, që përkon edhe me 100 vjetorin e themelimit të Klubit Sportiv, ta gjejë Besën me stadium të ri. Madje thuhet, se ndeshje të Europianit U-17, që do të luhet vitin e ardhshëm në Shqipëri, një prej stadiumeve pritëse të jetë edhe ai i Kavajës, totalisht i rinovuar.
NDËRPRERJA – Besës i bën mirë ndërprerja 10-ditore e kampionatit, sepse një pjesë e futbollistëve të ardhur rishtas kanë nevojë ta njohin edhe më mirë lojën e njëri–tjetrit. Koha në dispozicion të stafit teknik prej ndërprerjes së kampionatit nga ndeshjet e kombëtareve, do t’i shërbejë shumë Besës që nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa të konsolidohet më shumë, si dhe të riparojnë disa mangësi në shënjestrën e fazës ofensive. Në mbrojtje jo vetëm katërshja aktuale, por edhe alternativat po tregojnë se nuk do të bien në “grackën” e sulmuesve kundërshtarë, madje do t’ua bëjnë gjithnjë e më të vështirë mundësitë e shënimit. Fakti që Besa në dy javët e para nuk ka pësuar asnjë gol e tregon më së miri këtë.
FALENDËRIMI – Kavajasit i janë mirënjohës klubit të Egnatias dhe presidentit Agim Demrozi, që për sezonin e ri i kanë hapur dyert Besës të luajë në stadiumin e Rrogozhinës. Me një njoftim publik klubi kavajas e bëri të qartë këtë falënderim, që shkon madje deri te tifozët Rrogozhinas, që krahas Egnatias së tyre këtë sezon do të mbështesin fort edhe Besën e Kavajës në prag të 100 vjetrit të saj