Nga: Monika STAFA

Modeli i fillimit të një biznesi si gazetaria informative nuk duket se është dhe aq i komplikuar. Megjithatë thelbi mbetet tek pyetja se cilat janë arsyet që dhjetëra, e qindra gazetarë sot në vend, por dhe jashtë në botë ndërmarrin një sipërmarrje të tillë biznesi?
Pas më shumë se disa kërkimeve të mia në adresa të ndryshme amerikane dhe europiane, bisedash me ekspertë të fushës, por dhe me kolegë brenda e jashtë vendit që kanë nisur sipërmarrjen e biznesit të lajmeve, mendoj e besoj se shumë shpejt ekosistemi i mediave të së nesërmes do të pushtohet nga një numër i jashtëzakonshëm i start-up-eve të reja në këtë fushë. Dhe nismën së pari, e ndërmarrin kryesisht profesionistët e fushës, por jo vetëm kaq, gazetarët që profesionin e tyre e kanë më shumë se kaq, thënë shkurt ata që janë të mbushur me pasion. Ekspertët thonë se kjo lloj sipërmarrje e guximshme vjen si rezultat i një shtrirje shumë më të madhe se kurrë më parë i njohurive në rritje të informacionit dhe sigurisht emocionit nga ana tjetër që ky profesion nxit.
Po çfarë janë start-up-et (fillesat mbështetëse të një biznesi)?
Start-ups for News është një sipërmarrje që ndihmon fillestarët e fazës së hershme të guxojnë në nisjen e një biznesi të ri, siç është industria e lajmit. Këto programe mbështetëse në partneritet me degë të një profili të lartë gazetaresk përzgjedhin aplikimet më të mira që u adresohen sfidave të një redaksie informative përmes produkteve dhe shërbimeve dinamike e inovative. Në biseda të para këtë nismë të re, të gjithë e komentojnë jo tjetër, veçse si një ëndërr utopike aq sa bazuar mbi statistika, shumica e refuzon suksesin deri në fund, duke shtuar se i gjithë investimi është një shpenzim i kotë i parasë. Start-up-et janë të ndryshme në forma dhe përmbajtje, shumë prej të cilave ende as nuk i imagjinojmë dot. Por një gjë dihet me siguri se fokusi i tyre, mbetet gjithmonë nuhatja inteligjente për lajmin, teknologjia e avancuar dhe shënjestra e sigurt, pika qendrore e audiencës. Për ata që duan të besojnë në këtë të ardhme, sinteza e këtyre bashkëbisedimeve është kjo: modelet e biznesit për fillimin e gazetarisë informative nuk janë aq të ndërlikuara sa duken në pamje të parë dhe ka disa arsye të forta përse këto modele mund t’ia dalin. Ndërsa mblidhja informacione nga pyetje të tilla, si: cilat mund të jenë mënyrat efektive për të frymëzuar dhe mbështetur gazetarët për të nisur një biznes të tyre mediatik, apo si t’i inkurajojmë njerëzit që të ndërmarrin riskun për t’u bërë pjesë e ekosistemit të gazetarisë së të nesërmes, ndalesha të merrja shënim çdo përgjigje që më vinte pa pushim dhe pas disa dhjetëra syresh, kuptova që ato nuk do reshtnin kurrë. E vërteta është se nevojat që gazetarët më përmendën, ishin mjaftueshëm të qëndrueshme, ndër të tjera si, p.sh. ndërtimi i një faqeje web-i solide, një menaxhim profesional të raportit me klientin, një konsulencë ligjore me grupin e korporatave të ndryshme apo me organizatat jofitimprurëse. Ndër të tjera, nevoja e rritjes së cilësisë së markës, një motor i thjeshtë që do të bëjë marketingun e portalit, një platformë ndërtuar mbi një strategji të caktuar, mbledhja e të dhënave që vijnë prej hulumtimit të tregut dhe në fund, hartimi i një plan- biznesi të thjeshtë. E gjitha në funksion të idesë për të pasur platformën më të mirë në përdorim, me synimin e një audience të lartë, e cila duhet të mbledhë para për t’i përdorur më pas në funksion të nevojave të gjithsecilit si dhe të modernizimit të platformës sa herë është e mundur në raport me teknologjinë, por dhe nevojat e personit që ka nisur këtë lloj sipërmarrje. Megjithatë, vazhdoj të mbetem kurioze duke gërmuar sigurisht më thellë në motivimet e mundshme që gazetarët kanë ndërsa duan të nisin këtë biznes të ri. Teksa kërkoja të hulumtoja më shumë, lexoja me vëmendje pa ndërprerë, buletinet e publikuar të Qendrës Europiane të Gazetarisë, me qendër në Mastrit të Holandës. Ajo çfarë vura re mes përmbajtjes së tyre, ishte e qartë. Dy ishin sinjalet thelbësore për një sipërmarrës të suksesshëm të gazetarisë; së pari, veçoritë karakteristike të personalitetit që një gazetar duhet të mbarttë si dhe potenciali i aftësive të tij profesionale që do të mund ta ndihmojnë atë, në arritjen e suksesit.
Por gjithsesi ajo që më grishi më tepër, ishin pyetjet se përse gazetarët detyrohen të nisin një biznes të tillë, përtej pasionit për profesionin apo emocionit që lajmi sjell. Dy ishin motivet, edhe ato thellësisht njerëzore si ky profesion mëton t’i ketë: frymëzimi ose dëshpërimi. Pothuaj të gjithë sipërmarrësit e këtij biznesi me të cilët kam biseduar, janë sipërmarrës të ardhur nga media të mëdha, ajo e shkruar ose vizive; më së shumti prej mediash tradicionale po aq dhe të suksesshme. Ata vetë ishin rritur kështu, duke punuar në një mjedis profesional e të zgjedhur të prodhimit të lajmeve. Nisma e tyre e fillimit të këtij biznesi, si dhe ata e pohuan për ta ishte e thjeshtë; raportimi i dhjetëra historive njerëzore, çelësi i suksesit të këtij biznesi të ri. Një gjë duhet ta themi me siguri, nëse ka nisma të tilla start-up-esh në gazetari, ata që duhet ta ndërmarrin këtë iniciativë nuk duhet të jenë njerëzit e biznesit, siç janë pronarët e mediave apo të tjerë si këta. Modelet e reja të biznesit në gazetari, duhet t’i ngrenë vetë gazetarët. Atëherë përse frymëzimi apo dhe dëshpërimi po të doni, janë mjaftueshëm të fuqishëm për t’i bindur këta individë të ndërmarrin këtë rrezik? Ja disa nga përgjigjet:
Së pari, frustrimi që vjen prej stilit të një jete të pavarur: reporterët ndihen të lodhur nga shkrimi i historive të tyre raportuese në një mjedis ku buxhetet zvogëlohen gjithmonë e më shumë, ndërsa presin me muaj që të paguhen. Kjo është një gjë e njohur tashmë dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë edhe në media të mëdha.
Së dyti, zhgënjimi me aspektet e fiksuara që tani biznesi i lajmeve duhet të përfitojë: shkrimi i historive në një mënyrë të tillë që të synojë një numër rekord klikimesh, në një mënyrë të tillë që të përmbushin pritjet e reklamuesit mbi një pikëpamje të caktuar dhe kjo shkon më së shumti larg realitetit.
Së treti, të lodhur prej shkrimeve të porositura mbi faktorizime artificiale, shumë pak gazetarë kanë mbetur që punojnë ende me pasionin e parë të profesionit. Ngushtimi i redaksive në numër të kufizuar, kanë bërë që shumë prej tyre të raportojnë për tema gjithnjë e më banale për të justifikuar pagat e tyre. Sentimenti i tyre, për të shkruar histori që ata i besojnë se janë më të rëndësishme dhe mbi të gjitha të neglizhuara, ishte ajo që përftohet lehtësisht në biseda me ta.
Së katërti, nevoja e dukshme e tregut: në një rubrikë të portalit, po ta ndjekim me vëmendje shumë njerëz ankohen për mundësinë e një mbulimi më të mirë në komunitetin e tyre. Shpesh herë kjo ndodh për shkak se televizionet e mëdha nuk e ofrojnë më, zërin e qytetarit apo të fshatarit në zonën më të largët të vendit. Herë të tjera, kjo për shkak të mospasjes së një përvoje dixhitale ndërsa audiencave po u shërbehet në internet. Sido që të jetë, ka qenë një mundësi për t’iu adresuar, një nevoje tregu që nuk u përmbush.
Së pesti, askush nuk po i mbikëqyr mediat online: ne e dimë që mediat kanë detyrë së pari, të jenë të përgjegjshme për detyrën që kanë. Tregu ofron një mundësi të tillë. Dhe kjo mund të argumentohet me faktin se ka një rënie të përgjithshme të besimit në media, i cili ka arritur këto norma, si rezultat i zvogëlimit të presionit ndaj organizatave të medias për të mbajtur standardet më të larta profesionale dhe për të ruajtur fokusin drejt llogaridhënies para individit. Ekosistemi i nesërm i një media të besueshme, ka nevojë për zëra të fuqishëm që do të vazhdojnë ta ruajnë rolin e një watch-dogu, si dhe do të mbajnë përgjegjësi për atë që gazetaria ruan në thelb; jo vetëm saktësinë e raportimit të tyre, por edhe shumëllojshmërinë e gazetarëve dhe rrëfimeve të tyre.
Së gjashti, rezultati i zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA: me sa duket nuk ishte ndoshta ndonjë surprizë e madhe që një ngjarje e paparashikuar politike mund të frymëzonte kaq shumë njerëz derisa ndërmorën këtë lloj nisme biznesi, si sipërmarrësit e parë të një gazetarie informative online, mes portaleve të tyre. Themeluesit e tyre, kanë kohë që kanë pushtuar tregun e informacionit në këtë fushë. Edhe pse shumë histori të rëndësishme nuk u thanë gjatë asaj fushate elektorale, dhe se kjo pjesë e historisë së zgjedhjeve amerikane nuk u shërbye korrekt në mediat kryesore të vendit, ishte kjo panoramë që nxiti nevojën për këtë ndërmarrje gjigande, por dhe të rrezikshme në jetën e tyre. Përtej kësaj, ata panë një mundësi tregu për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë situatën politike.
Si mund të ndërtohet një pistë e tillë për një afat njëvjeçar?
I frymëzuar a i dëshpëruar për të filluar diçka, gjithmonë ekziston një fakt i pamohueshëm: ruhet përherë një risk i paevitueshëm në çdo sipërmarrje, sa i përket biznesit mediatik. Rreziku nuk mbetet vetëm tek ana financiare e tij, por, nga ana tjetër, kjo ka të bëjë edhe me riskun e humbjes së reputacionit personal. Për shembull, thjesht lëvizja nga një redaksi tradicionale lajmesh në një gazetari online mund të shihet si një “hap prapa” profesionalisht. Po ashtu mbulimi i qeverisë dhe interesave të tjera të fuqishme të biznesit vjen me rreziqet e veta serioze, si p.sh., dobësim i organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve, luhatja e pushteteve të tjerë apo nëndegë të tjera që kanë rol mbrojtës si p.sh. avokatët, sigurimet, etj. Por megjithatë mund të hartohen strategji për të zbutur këto rreziqe. Gjithsesi rreziku më i madh i kësaj sipërmarrje, mbetet siguria financiare e vitit të parë. Pra, si disa gazetarë nisën një ndërmarrje të tillë?
Si e gjetën ata financimin në vitin e parë të biznesit të tyre? Ja disa nga rregullat!
ü Fillimi i kësaj nisme me kohë të pjesshme që d.th., të ardhura me kohë të pjesshme. Disa prej tyre e nisën duke punuar në këto biznese me orar të pjesshëm, të paktën vetëm gjatë vitit të parë të fillimit të tyre. Në disa raste, puna tjetër mbase nuk mund të ketë lidhje me gazetarinë. Ndonjëherë, aty ku ka vullnet, ka dhe një mënyrë.
ü Kursimet personale: sa më pak shoping ca kohë, ose thjesht një investim i mençur do ishte një mënyrë për të financuar ndërmarrjet e tyre me kursimet personale. Disa iu drejtuan miqve apo dhe familjarëve të tyre si një “engjëll” financimi, dhe disa thjesht përdorën kredi për të lëvizur gjërat. Të gjitha këto sigurisht mbartin rreziqe financiare.
ü Një partner i butë: në një numër rastesh prej të cilëve hulumtova ishte kur partneri mund të përballonte shpenzimet e të dyve me rrogën e tij për gjashtë muaj, por jo më shumë. Kjo ishte shumë e aplikueshme sidomos në SHBA.
ü Një investitor kur ai shfaqet si një engjëll: në disa raste, themeluesit e këtyre portaleve më thanë se kishin arritur të gjenin, farën e parë të investimit nëpërmjet disa zotërinjve të tillë ‘fisnikë’. Një prej tyre, p.sh. ishte kontaktuar nga një investitor, i cili donte të shihte një plan- aksion të lajmeve lokale në komunitet, tjetri investoi për promovimin e një personi me biznes që e njihnin në komunitet dhe që populli e quante një investues engjëll. Por në të dyja rastet, si edhe kuptohet, ky investim siguron një pistë shumë të shkurtër në kohë të ardhurash ndaj për të arritur qëndrueshmërinë e tyre për një të ardhme, të tjera shtesë duhet të sigurohen me burime të tjera.
Si dhe e përmendëm më lart megjithatë, modelet e biznesit për start-up-et e gazetarisë, të paktën për vitin e parë, nuk janë dhe aq të komplikuara. Qëndrueshmëria në vazhdim në anën financiare është shumë më sfiduese. Hapi tjetër, vrapo. Loja ka nisur! Ka shumëçka për të kapur në këtë botë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/05/02/start-ups-ne-gazetarine-e-se-nesermes-nje-histori-e-re-inovacioni-ne-shqiperi/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: