Eurogoli i Bruno Telushit dhe rrjeta e tundur nga Jurgen Bardhi kanë vulosur suksesin e dytë radhazi të Partizanit ndaj Kastriotit në harkun e 3 ditëve. Pas sfidës së Kupës që u mbyll 3-0 për të kuqtë, ekipet riktheheshin në “Selman Stërmasi” kësaj radhe për kampionat.

Sfida nis e luftuar dhe Kastrioti i bën ballë mjaft mirë Partizanit, që ndonëse ka fjalën e parë, vuan të gjejë hapësirat. Në sytë e Kristian Panuçit, trajnerit të Kombëtares që ka zënë vend në tribunë, djemtë e Gegës dhe ata të Devollit dhurojnë një 45 minutësh luftarak dhe pa raste të shumta shënimi.
Por në pjesën e dytë situata do të ndryshojë pasi në katedër ngjitet Bruno Telushi. Vlonjati stopon një top me gjoks në minutën e 52-të dhe me të majtën lëshon një predhë në portën e çekrezit, me topin që gjen trekëndëshin e majtë dhe prehet në rrjetë. 1-0 dhe të kuqtë e kanë më të lehtë të menaxhojnë kundërshtarin, që tronditet nga goli i pësuar dhe pas 8 minutash do të ndëshkohet sëish. Kombinime mes Dukës dhe Malës me këtë të fundit që provon një goditje fantasike, por topi ndalet nga shtylla. Gjithsesi është i vëmendshëm Bardhi, që ndjek aksionin dhe e shtyn topin në rrjetë. Protestojnë krutanët për pozicion jashtëloje, por sulmuesi i kuq është nisur në pozicion të rregullt.

Më pas Partizani do të ketë dhe mundësi të tjera shënimi, me Asanin, Bardhin, Dukën e Malën, por gjithçka do të mbyllet 2-0. Të kuqtë sigurojnë fitoren e radhës, dhe ngjiten në kuotën e 46 pikëve, 8 me shumë sesa Kukësi, që sfidën e tij e luan nesër ndaj Tiranës. Ndërkohë, Kastrioti i Devollit ndalet pas dy fitoreve mjaft të bukura ndaj Luftëtarit e Flamurtarit, e mbetet në vendin e parafundit.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Trashi, Atanda, Telushi, Mala, Asani, Mensah, Bardhi.
Trajner: Skënder Gega

Kastrioti: Çekrezi, H. Marku, Shehi, Çela, Ndreca, Ymeraj, Shehu, Kalaja, Roxher, Vatnikaj, P. Bardhi.
Trajner: Bledar Devolli

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: