TIRANE – Nuk mund të themi plotësisht se portieri i Partizanit, Alban Hoxha, është portieri më i mirë shqiptar i këtij shekulli. Por mund të themi me siguri se cërrikasi i “demave” ka tregues dhe statistika individuale të larta! Pas rikthimit nga tragjedia familjare, gardiani cërrikas kaloi 900 minuta radhazi pa pësuar gol në ndeshjet e Superiores. Albani pat kaluar më parë (në fitoren ndaj Apolonisë 1-0) legjendën e portës shqiptare, Foto Strakosha (795 minuta radhazi pa gol).

Ai nuk luan në Korçë me kampionët dhe nuk pret në Tiranë nënkampionët. Pas javës së 14-të, në Durrës, ai ruan me lavdi dhe të paprekur portën e Partizanit të tij për 910 minuta radhazi. Në ndeshjen e së dielës, në stadiumin që mban emrin e një prej portierëve më të mirë të paraluftës, Niko Dovana, Hoxha “thyen” fshehurazi rekordin e disa legjendarëve. Komentatorët e ndeshjes duhet të kenë pasur shumë punë për të bërë, shumë “minuta” referencë për komente me emocione.

Në minutën e 5-të, ishte i famshmi kampion, Xhevahir Kapllani i Teutës (824 minuta radhazi pa pësuar gol) që i lëshoi vendin e “paprekshmërisë” Hoxhës. 3 minuta më vonë, Albani kaloi dhe legjendën vlonjate, portierin që bëri Flamurtarin për herë të parë kampion të Shqipërisë, Nesti Arapi (827 minuta)… Në minutën e 21-të të ndeshjes së 30 nëntorit, Teuta-Partizani, Alban Hoxha parakalon statistikisht në këtë tregues edhe më legjendarin e “portës së vjetër shqiptare”, Qemal Voglin, i cili e ruajti të paprekur portën e Dinamos për 840 minuta radhazi. Minuta e 79-të në Durrës. Porta e Alban Hoxhës po u afrohej 900 minutave radhazi pa pësuar gol në Superiore.

Kalohet edhe portieri i parë kampion i Shqipërisë së periudhës së Pasçlirimit dhe i vetmi portier shqiptar kampion Ballkani, Dodë Tahiri i Vllaznisë, i cili e kishte ruajtur të paprekur portën shkodrane për 898 minuta radhazi. Minuta e 86-të e ndeshjes TeutaPartizani. Alban Hoxha, njeriu që përjetoi një gëzim, por dhe një hidhërim aq të madh brenda disa ditëve të nëntorit 2014, shkruan historinë teksa parakalon 5 portierë legjendarë brenda një 90- minutëshi. Portieri i pestë, që u kalua nga gardiani i Partizanit, ishte një ish-portier po i Partizanit, Raqi Pisku, që e kishte ruajtur portën e paprekur në vitin 1951 për 905 minuta. Kur gjyqtari i ndeshjes Blerim Ziri përfundoi ndeshjen e fituar nga Partizani, Alban Hoxha kaloi 910 minuta radhazi pa pësuar gol.

Aktualisht renditet i treti në listën e portierëve të Shqipërisë. Portieri shqiptar, që mban rekordin e paprekshmërisë së portës së tij, është elbasanasi kampion, Bujar Gogunja, me 1037 minuta pa pësuar gol (11 dhjetor 1983 deri më 13 mars 1984), i 44-ti në botë. Durrsaku Kujtim Shtama është i dyti ndër shqiptarët me 927 minuta. Alban Hoxha është vetëm 18 minuta larg “medaljes së argjendit”! Rekordmeni botëror në këtë tregues mbetet ish-portieri brazilian i Vasko de Gamës, “Mazaropi” (1977/’78) me 1816 minuta “të bardha”.

Cili është Alban Hoxha i Superiores shqiptare? Ka zhvilluar 149 ndeshje me 5 ekipe. Është produkt i ekipeve zinxhirë të Cërrikut. Afrohet nga klubi sportiv Dinamo që në moshën 16 vjeç. Luan ndeshjen e parë në Superiore si dinamovit, më 10 mars 2007 ndaj Elbasanit në moshën 19 vjeç! Ka luajtur 123 ndeshje në Superiore. Në to, portieri Hoxha ka pësuar 140 gola, ndërsa lojtarët e ekipeve të tij kanë shënuar gjithashtu 140 gola në këto 123 ndeshje! 46 ndeshje pa pësuar gol dhe në 40 ndeshje ka lejuar vetëm një prekje rrjete, ku në 17 prej tyre, të tijtë nuk kanë shënuar në portën kundërshtare.

Te Partizani, ku portierëve u mbahen mend pritjet dhe jo golat, Alban Hoxha ka shkëlqimin e tij të dytë. Në 43 ndeshje të Superiores, kapiteni i të kuqve e ka ruajtur të paprekur portën në 24 ndeshje! Në 12 ndeshje ka lejuar vetëm nga 1 gol. Në derbin e javës së 15-të, portieri i 15 herë kampionëve, Alban Hoxha, i cili e ka ruajtur portën e Partizanit 24 herë të paprekur, do të ndeshet me 24 herë kampionët e Shqipërisë, bardheblutë e Tiranës!

(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: