Kategoria Superiore në këtë sezon ka një risi sa i përket statistikave.
“Sofascore”, që bashkëpunon me OPTA-n prej vitesh, në këtë edicion ka shtuar analizuar për kampionatin tonë dhe në të mund të gjesh detaje që në vitet e shkuara nuk ishin të aksesueshme nga njerëzit e thjeshtë. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim ecurisë dhe statistikave të Partizanit dhe përfundimet janë interesante.
“YLLI” I EKIPIT – Lojtari kryesor i Partizanit është padyshim Arinaldo Rrapaj dhe statistikat e përforcojnë akoma më shumë këtë fakt. Vlonjati është lojtari me mesataren më të lartë të vlerësimeve në ndeshjet e luajtura deri më tani. Paraqitjet e tij deri më tani janë vlerësuar me notën 7.82, duke lënë pas Krujën dhe Zabërgjën. Rrapaj është edhe lojtari që e sulmon më shumë portën në Superiore, me një mesatare prej tri gjuajtjesh për ndeshje, nga të cilat 1.1 shkojnë në kuadrat. Rrapaj është lojtari që jep më shumë pasime kyçe, 2.7 për ndeshje, teksa pas Rashicës është më dribluesi me 4.6 driblime për ndeshje.
PAK PASIME – Sa i përket Partizanit, skuadra e kuqe nuk e ka pikë të fortë mbajtjen e topit, pasi për këtë tregues renditet vetëm e gjashta me mesatare 49%. Të kuqtë bëjnë mesatarisht 258 pasime për ndeshje, çka është një shifër mjaft e vogël kundrejt 354 të Egnatias, që është edhe skuadra që e mban topin më shumë në zotërim.
EKIP “GJUAJTËS” – Topin nuk preferon ta mbajë, por Partizani është skuadra e dytë më e mirë pas Skënderbeut, sa i përket “vjedhjeve” të topit. E kemi parë shpesh që pasi rrëmben topin, Partizani zbarkon menjëherë për të kapur rivalët në befasi. Të kuqtë bëjnë mesatarisht 39 interceptime për ndeshje, kundrejt 40.3 të korçarëve. Kjo mënyrë loje i ndihmon të kuqtë “Demat” të jenë edhe skuadra që bën më shumë gjuajtje drejt portës në Superiore. Partizani e godet kuadratin mesatarisht 12 herë për ndeshje, duke lënë pas Dinamon dhe Egnatian. Gjithashtu, të kuqtë janë ekipi më teknik me mesatarisht 18.7 driblime të suksesshme për ndeshje.